Lidhje

BE hap qendër të re kundër krimit në internet


Komisioni Evropian hapi zyrtarisht Qendrën Evropiane kundër Krimeve në internet. E vendosur në selinë e Agjencisë Evropiane të Zbulimit Penal, Europol, nisma u ndërmor nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar, si rruga më e mirë për të luftuar krimin ndërkufitar.

Kjo agjenci do të përqendrohet në tri drejtime: abuzimi seksual ndaj fëmijëve, vjedhjes së identitetit përmes internetit dhe mashtrime me telefona inteligjentë dhe do të bashkojë informacionin dhe burimet nga 27 vendet anëtare të BE-së për të gjetur kriminelët. Cecilia Malmstrom, Komisionere e Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme tha se shpesh për të luftuar kriminelët në internet mjafton një informacion.

“Kapja e një kompjuteri të dikujt që dyshohet për abuzim seksual fëmijësh mund të sjellë si rezultat zbulimin e një rrjeti të tërë”.

Troels Oerting është kreu i Qendrës Evropiane të Krimit në Internet.

“Ashtu si edhe në botën reale, ne nuk mund thjesht të vëmë më shumë çelësa, edhe në internet ne duhet të kemi një mjedis të sigurt, pa krime”.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për një mbikqyrje evropiane për të kompensuar për natyrën e vështirë të krimit në internet.

Kjo qendër do të punojë gjithashtu me sektorin privat përfshirë kompani si Microsoft, Google, Twitter për të gjetur informacion që mund të përdoret në hetimin e krimeve në internet.

Buxheti i qendrës do të vijë nga buxheti i përgjithshëm i Europolit. Kjo qendër të fillojë punën të premten në Hagë, por do të jetë plotësisht operacionale në vitin 2015.

Personeli deri tani është 30 vetë dhe pas disa muajsh do të përfshijë 40 ekspertë të krimit në internet.
XS
SM
MD
LG