Lidhje

Siguria e gazetarëve


2012a ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët - me më shumë se 100 të vrarë në krye të detyrës. Kombet e Bashkuara po drejtojnë një nismë të re për të përmirësuar sigurinë për gazetarët në mbarë botën.

Predhat ranë mbi qytetin e Homsit në shkurt të vitit 2012. Një ndërtesë që përdorej nga media e huaj ishte në qendër të bombardimeve, të cilat shkaktuan vrasjen e korrespondentes së gazetës Sunday Times, Marie Colvin, së bashku me gazetarin francez Remi Ochlik. Kolegu i tyre, fotografi i Sunday Times, Paul Conroy mbeti i plagosur.

“Ishim në qendër të goditjes. Unë u plagova në këmbë dhe me sa kuptoj kolegia ime Marie Colvin ka vdekur. Po ashtu edhe Remi.”
Kjo video tregon Remi Ochlik, vetëm disa momente para se ai të vritej. Incidenti ishte ndër më të bujshmit në vitin 2012. Por ka pasur sulme shumë më fatale për anëtarë të grupit të mediave.

Shifrat ekzakte variojnë, por Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 100 gazetarë u vranë në detyrë në vitin 2012, shumë prej tyre viktima të objektivit të sulmit. Në fund të vitit të kaluar në një konference shtypi në Vjenë, Kombet e Bashkuara ndërmorrën nismën “Plani i Veprimit për Sigurinë e Gazetarëve dhe Luftë Mosndëshkimit.”
William Horsley punon me Qendrën për Lirinë e Medias në Universitetin Sheffield.

“Publiku dhe media duhet të edukojnë popullatën të kuptojë lidhjen mes vrasjes së gazetarëve dhe minimit të zbatimit të ligjit dhe stabilitetin në gjithë shoqëritë. ”

Në një simpozium në tetor në Kolegjin e BBC-së për Gazetari, anëtar të medias ndërkombëtare u mblodhën për të diskutuar sulmet mbi gazetarët. Gati 20 gazetarë somalezë u vranë në vitin 2012. Omar Faruk Osman është me Sindikatën Kombëtare Somaleze të Gazetarëve.

“Gazetarët në Somali nuk vriten vetëm nga plumbat. Atyre iu pritet koka. ”
Media pakistaneze është gjithashtu e kërcënuar për mbulimin e ngjarjes së aktivistes adoleshente Malala Yousafzai – që doli kohët e fundit nga një spital në Britani pasi u qëllua në kokë nga Talibanët. Hamid Mir punon për televizionin Geo TV në Pakistan.

“Talebanët kanë shpallur luftë të hapur kundër medias pakistaneze sepse ne po mbështesim vajzën e vogël, Malala Yousafzai.”

Bob Tyrer, Ndihmës Redaktor me Sunday Times në Londër, kërkon mbrojtje ligjore më të fortë.

“Mendoj se vrasja e gazetarëve duhet të jetë krim kundër njerëzimit.”

Video gazetari italian Andrea Bernardi u plagos rëndë në një aksident me makinë në Libi në vitin 2011. Ai tani po punon në Siri dhe foli për Zërin e Amerikës përmes Skajpit nga kufiri turk.

“Kam punuar në shumë zona konflikti- Gaza, Afganistan, Libi – por asnjëherë nuk e kam ndjerë veten më të pasigurtë sesa në Siri…”

Po në Siri, gazetari amerikan James Foley nuk është parë që kur u rrëmbye nga persona të armatosur në nëntor. Kjo është një kujtesë tjetër e rreziqeve të kësaj pune – rreziqe që duket se po përkeqësohen.
XS
SM
MD
LG