Lidhje

50 vjet nga krijimi i programit Sketchpad


U mbushën 50 vjet nga krijimi i programit kompjuterik Sketchpad. Programi revolucionar është i famshëm sepse ishte i pari që lejoi përdoruesit të luanin me figura mbi një ekran kompjuteri, duke i hapur kështu rrugën ideve të krijimit të kompjuterave modernë dhe teknologjive grafike.

Në fillim të viteve 1960, ideja e bashkëveprimit të drejtpërdrejtë me një kompjuter ishte diçka që njerëzit vetëm mund ta ëndërronin.

Por kjo ndryshoi kur studenti i doktoraturës në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT), Ivan Sutherland, krijoi një program që bënte të mundur manipulimin e figurave në një ekran kompjuteri. Sutherland fitoi çmime të ndryshme për krijimin e tij, duke përfshirë Çmimin e Kiotos të vitit 2012, për kontributin në teknologjinë kompjuterike.

Në vitin 1964, gazetari për shkencat i universitetit MIT, John Fitch, intervistoi profesorin Steven Coons lidhur me programin e ri.

"Sot do t’ju tregojmë se si një njeri komunikon me një kompjuter në një mënyrë shumë të ndryshme nga ajo që njohim sot."

Në atë kohë, kompjuterat ishin makina gjigante. Ata shpesh zinin dhoma të mëdha plot me komanda, shirita dhe drita të cila mund të përdoreshin vetëm nga shkencëtarë të specializuar.

Të prekje ekranin me një stilolaps dhe të merrje përgjigje ndaj lëvizjes ishte diçka shumë novatore.

John Fitch, tani rreth 80 vjeç, e kujton fare mirë atë ditë.

Ai thotë se në emisionin që nisi të drejtonte në televizionin, i cili sot quhet PBS, mësoi shumë gjëra interesante, por nuk e përfytyronte dot se sa shumë do të ndryshonte ky program rrjedhën e historisë moderne.

"Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë, dhe me siguri që askush tjetër nuk mund ta kishte parë, sepse ishte një koncept i ri. Ishte diçka revolucionare. Por nëse e krahasojmë me atë që jemi në gjendje të bëjmë tani, shohim se ne e konsiderojmë thjesht normale që fotografia shfaqet në ekran dhe që ne mund t’i bëjmë ndryshime, apo që mund të shohim faqe të ndryshme të internetit. Tani është një tjetër botë."

Programi Sketchpad i hapi rrugën shumë ndryshimeve të tjera për kompjuterin, duke qenë nismëtar edhe për grafikën kompjuterike. Ideja se një fotografi mund të dyfishohej ndikoi në krijimin e teknologjisë moderne 3D. Edhe për mjetin e mirënjohur kompjuterik 'Paint' mund të thuhet se u parashikua prej programit Sketchpad.

Profesor i MIT-së Timothy Johnson shpjegoi se si funksiononte kjo teknologji.

"Mund të pozicionojmë pikën në mes të kryqit të bardhë që shihni për të përcaktuar një vend të dëshiruar. Më pas shtypim butonin për të komanduar kompjuterin të vizatojë një vijë. Ai do ta bëjë këtë duke përdorur pozicionin e tanishëm dhe çdo pozicion të mëvonshëm të përcaktuar nga stilolapsi im."

Programi Sketchpad fillimisht u krijua në një kompjuter Lincoln TX-2, i përshtatur vetëm për memorie RAM prej 64 kilobajtësh. Ndërsa sot, një laptop MacBook Pro, për shembull, ka një memorie RAM prej tetë gigabajtësh, ose mbi tetë milionë kilobajts.

XS
SM
MD
LG