Lidhje

Origami në ndihmë të personave me probleme mendore


Arti i origamit e ka zanafillën në Japoni, por sot në botë është bërë një aktivitet i preferuar për shumë njerëz që duan çlodhje mendore dhe fizike. Por për shumë të tjerë, kjo është një krijimtari serioze artistike. Origami në japonisht do të thotë ‘praktika e palosjes së letrës’. Por për individë si Ken Fowler, prezantimi me origamin dhe zotërimi i këtij arti ishte një rrugë e gjatë për të lënë pas problemet mendore.

Në bibliotekën e qytetit Boulder në Kolorado, Ken Fowler është një ndër anëtarët e mirënjohur të klubit ‘Palosësit e Boulderit’.

Ky është një ndër 70 klube amerikane dhe 50 klube ndërkombëtare për origami, të frekuentuara nga njerëz të apasionuar pas palosjes së letrës.

“Mendoj se është më e këndshme kur mblidhemi bashkë e fillojnë palosjen, se sa po të jesh vetëm”.

Drejtoresha e grupit, Barbara Gardner, e vlerëson entuziazmin e Ken Fowlerit.

“Ai vjen shumë i mobilizuar. I kap gjërat mirë. Eksperimenton për të kuptuar si funksionojnë më mirë gjërat. Ka mësuar të deshifrojë diagramat dhe është bërë një instruktor i shkëlqyer”.
Të rriturit me probleme mendore duke filluar që nga depresioni i thellë e tek skizofrenia po përfitojnë nga mësimet e zotit Fowler. Peter Czolowski [chu-LUSS-skee] është anëtar i klubit në Chinook.

“Klubi ynë është një mjedis ku njerëzit vijnë për të filluar rimëkëmbjen nga probleme mendore. Ne u garandojmë se këtu do të gjejnë aktivitete me vlerë”.
Ken Fowler thotë se origami e ndihmoi të zbulonte motivimin tre vjet më parë, kur ishte shtruar në spital nga depresioni dhe ilaçet nuk po jepnin rezultat. Disa nga mjekët rekomanduan terapinë e elektroshokut. Ndërkohë që po vendoste nëse do t’i lejonte t’i bënin elektroshok, një terapist artistik e prezantoi me origamin.

“Kur bën origami mund ta çlirosh mendjen. Nuk je në garë me dikë tjetër”.
Ai vendosi të mos pranonte terapinë e elektroshokut. Tani vazhdon të pijë ilaçe kundër depresionit, por thotë se origami e ka ndihmuar shumë.

Zoti Fowler thotë se dokumentari i Vanessa Gould për origamin, me titull “Between the Folds” – “Mes Palosjeve” e frymëzoi të mësonte për historinë e këtij arti të lashtë dhe si të bëhej instruktor i origamit.

“Nëse nuk je i sigurtë se në ç’fazë është jeta jote, origami të ndihmon ta shpalosësh realitetin’.

Zoti Fowler thotë se origami është metafora e rifillimit: mund ta shpalosësh letrën, të zhbësh atë që ke bërë dhe të rifillosh nga e para.
Përveç punës vullnetare në Klubin e Chinookit dhe të Boulderit, ai jep mësime edhe në qendra në komunitet. Në këtë proces e sipër, Ken Fowler ka shpalosur një karrierë të re për veten.
XS
SM
MD
LG