Lidhje

Transferimi paqësor i pushtetit në SHBA

  • Jeffrey Young

Presidenti Barack Obama do të bëjë betimin për mandatin e tij të dytë këtë muaj. Të dielën, më 20 janar ai bën zyrtarisht betimin sipas ligjit. Por ceremonia do të përsëritet për publikun të hënën më 21 janar. Inaugurimi i Presidentit është pika kulmore e një procesi politik që filloi mbi një vit e gjysmë më parë. Ceremonitë i kanë rrënjët në traditë dhe simbolizëm, dhe synojnë vazhdimësinë dhe forcën e sistemit politik amerikan.

Në mesditën e 20 janarit, vitin që pason zgjedhjet presidenciale të nëntorit, një president i ri merr detyrën ose presidenti aktual betohet vazhdon mandatin e dytë.

Dita e inaugurimit është një traditë e pandërprerë që nga viti 1789, kur Shtetet e Bashkuara zgjodhën Presidentin e parë, George Washington.

Ceremonia përcjell mesazhin e forcës dhe qëndrueshmërisë së presidencës amerikane. Siç thotë profesori i Universitetit Georgetown Mark Rom, është një moment me fuqi simbolike për popullin amerikan.

“Sepse është momenti kur një president i zgjedhur në mënyrë demokratike lë detyrën dhe një tjetër president i zgjedhur në mënyrë demokratike merr detyrën. Dhe tranzicioni është paqësor dhe ceremonial”.

Në rastet kur një president i ri merr detyrën, ai takohet me presidentin që po largohet në Shtëpinë e Bardhë në mëngjesin e ditës së inaugurimit. Ata shkojnë në Kapitol së bashku për ceremoninë e betimit.

Atje i presin anëtarë të Kongresit, anëtarët e Gjykatës së Lartë, zyrtarë nga administrata e vjetër dhe shumë prej atyre që do të shërbejnë në administratën e presidentit të ri.

Kjo tregon edhe mbështetje për detyrën e presidentit, edhe reflektim për vazhdimësinë politike.

Presidenti i ri e bën betimin në mesditë, nën drejtimin e kreut të Gjykatës së Lartë. Edhe prania e tij ka simbolikën e vet, thotë profesori i Universitetit Johns Hopkins, Ben Ginsberg.
“Do të thotë që fakti që ky individ po ushtron pushtet është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, ligjet e Shteteve të Bashkuara dhe urtësinë dhe shpresën e themeluesve të vendit tonë”.

Si kreu i shtetit, presidenti përshëndetet me 21 të shtëna.

Ai mban gjithashtu fjalimin e inaugurimit.

“Sot unë ju them se sfidat tona janë reale, serioze dhe të shumta”.

“E gjithë bota do t’i ketë sytë atje, i gjithë vendi do të presë të shohë se cili është vizioni i tij për presidencën”.

Pasi bën betimin, presidenti shkon në Shtëpinë e Bardhë, para së cilës mbahet një paradë madhështore. Grupe nga i gjithë vendi vijnë në Uashington, një veprim që simbolizon mbështetjen për presidentin e ri.

Më pas në mbrëmje, festimet vazhdojnë dhe presidenti merr pjesë në disa ballo për nder të inaugurimit të tij.

Puna e presidentit të Shteteve të Bashkuara është quajtur më e vështira në botë. Por sfidat e mëpasshme fillojnë me një ditë të mbushur me premtim dhe shpresë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG