Lidhje

Nju Jorku, i pari me masa të ashpra për armët


Presidenti Obama e njofton nismën e tij vetëm një ditë pasi shteti i Nju Jorkut u bë shteti i parë i Amerikës, që vendos masa të ashpra për kontrollin e armëve, pas masakrës së muajit të kaluar në shkollën fillore Sandy Hook në Njutaun të shtetit Konektikat.

Guvernatori demokrat i Nju Jorkut, Andrew Cuomo e nënshkroi ligjin dje pak pasi Kongresi i shtetit i dha atij miratimin përfundimtar.

“E them me krenari që jam njujorkez sepse Nju Jorku po bën diçka, sepse ne po përgjigjemi me masa konkrete. Është e vërtetë që kemi përjetuar tragjedi dhe shumë njerëz të pafajshëm kanë humbur jetën. Është fatkeqësi që si pasojë e këtyre tragjedive ne kemi arritur në këtë pikë, por të paktën le të mësojmë nga ajo që ndodhi. Duhet të paktën të jemi në gjendje t’u themi të tjerëve se ne përjetuam situata të tmerrshme, por edhe nxorrëm mësime, u përgjigjëm, vepruam dhe po bëjmë diçka rreth këtyre situatave. Ne nuk jemi viktima”.

Ligji i ri i Nju Jorkut shtrin ndalimin e armëmbajtjes për armët e sulmit dhe kërkon kontrolle për këdo që përpiqet të blejë municion. Ligji vë gjithashtu kufizime mbi sasinë e municioneve si dhe përfshin dispozita, që synojnë parandalimin e zotërimit të armëve nga njerëz me probleme mendore.

Ligjvënësit, që votuan kundër ligjit të ri, kritikuan shpejtësinë me të cilin u miratua ai.


“Çështja kryesore ka të bëjë me shqyrtimin e masave që përfshihen nga amendamentet kryesore të Kushtetutës, ashtu si amendamenti i parë për lirinë e shprehjes dhe të ushtrimit të besimit fetar, ashtu edhe amendamenti i dytë për të drejtën e armëmbajtjes. Këto çështje duhen diskutuar më në thellësi dhe nuk mund të zgjidhen brënda 12 ose 24 orësh. Këto amendamente ndikojnë në jetën e popullit që na ka zgjedhur. Për këtë arsye, më shqetëson mënyra si u veprua”'.

Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh lobist për të drejtën e armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara, bëri një deklaratë, në të cilën deklaronte se "këto skema për kontrollin e armëve kanë dështuar në të kaluarën dhe nuk do të kenë asnjë ndikim për sigurinë publike dhe parandalimin e krimeve”.

Presidenti Obama e ka pranuar se ndodhet para një beteje të ashpër në Kongresin e përçarë thellë lidhur me çështjen e kontrollit të armëve. Megjithatë, të hënën ai tha se ligjvënësit duhet të "shqyrtojnë ndërgjegjen e tyre" dhe se "ne duhet të gjejmë përgjigje, duke lënë mënjanë politikat”.
XS
SM
MD
LG