Lidhje

Jeta dhe roli i ish-presidentëve amerikanë


Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, George H.W. Bush doli nga spitali pasi u kurua për dy muaj për bronkit. Zoti Bush, ashtu si thuajse çdo president që përfundon mandatin, është ballafaquar këto vite me dilemën e misionit të tij në jetë pas presidencës. Në vazhdim ju njohim me presidentë të ndryshëm dhe mënyrën se si i janë përshtatur jetës pas Shtëpisë së Bardhë:

Kur ish-presidenti George W. Bush u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2009, ai u largua thuajse plotësisht nga jeta publike.

Megjithatë, vjet ai punoi me vullnetarë të tjerë për të renovuar një klinikë kundër kancerit në Zambia. Ashtu si presidentë të tjerë, zoti Bush e shfrytëzon statusin e tij për të hedhur dritë mbi kauza të rëndësishme, megjithëse thotë se nuk dëshiron të tërheqë vëmendje tek vetja:
“Shpresoj që nuk shihni shumë nga ato që bëj, pasi nuk dua të përmendem në lajme. Besoj se kontributi në heshtje është kontributi më i mirë”.

Por ish-presidentët kanë aftësinë të tërheqin vëmendjen dhe vullnetin e mirë të publikut. Presidenti Obama kërkoi ndihmë nga ish-Presdentët Bush dhe Klinton për të udhëhequr përpjekjet për grumbullim fondesh pas tërmetit në Haiti.

“Në emër të popullit amerikan, dua t’ju falenderoj për shërbimin dhe udhëheqjen e këtij misioni urgjent”.

Burrat e shtetit, pas largimit nga posti mund ta gjejnë veten pa një rol të përcaktuar, thotë historiani Richard Norton Smith:

“Secili prej tyre, në kohën kur ka qenë president e ka pasur të qartë sa i kufizuar është roli i çdo ish-presidenti në aspektin institucional”.

Ish-presidentët Klinton dhe George H.W.Bush vizituan Indonezinë pas cunamit shkatërrimtar të vitit 2004 dhe grumbulluan fonde pas uraganit Katrina që goditi brigjet jugore të Shteteve të Bashkuara në vitin 2005.

Zoti Klinton ka qëndruar në skenën publike që pas largimit nga presidenca, duke i bërë presion Koresë së Veriut të lirojë pengjet amerikane, duke bërë fushatë për bashkëshorten Hillari Klinton gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008 dhe duke drejtuar Nismën Globale Klinton.
“Nisma u ngrit për t’iu përgjigjur sfidave globale në mënyrë graduale”.

Por ish-presidenti Bush nuk ka treguar të njëjtin vullnet për aktivitet publik, duke preferuar kauza personale, thotë drejtori i Bibliotekës Lyndon Baines Johnson, Mark Updegrove, i cili foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it:

“Është një qëndrim më pasiv. Kapitulli më i rëndësishëm i periudhës së tij pas presidencës ishte kur i biri u bë President i Shteteve të Bashkuara”.

Historianët thonë se jeta pas presidencës ka evoluar. Para vitit 1958, ish-presidentët nuk merrnin pension, as hapësirë për zyra apo personel dhe përfitime të tjera.

Tani teknologjia moderne i lidh presdentët me publikun, thotë historiani Smith:
“Presidenca është bërë pjesë e ciklit të pandërprerë të lajmeve. Presidentët janë futur në jetën tonë. Ata i kemi të pranishëm më shumë se këdo tjetër, përveç pjesëtarëve të afërt të familjes”.

Ish-presidentët mund t’u dedikohen disa kauzave, thotë zoti Updegrove, autor i një numër librash mbi presidencën:

“Mendoj se në shumë mënyra, aktiviteti i ish-presidentëve pasqyron më tepër karakterin e tyre se sa vitet në Shtëpinë e Bardhë, të cilat nga vetë natyra e tyre janë të ngurta”.
Puna e ish-presidentit Jimmy Carter përqëndrohet tek të drejtat e njeriut dhe nxitja e demokracisë, përfshirë vëzhgimin e zgjedhjeve. Ai thotë se interesat e tij në jetë nuk ndryshuan pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë:

“Do të thoja, dhe besoj se edhe ime shoqe është e të njëjtit mendim, se koha që kaluam në Shtëpinë e Bardhë ka qenë periudha më produktive, aventureske dhe e paparashikueshme”.
Për ish-presidentët, duket se dalja në pension ka një kuptim krejt unik.
XS
SM
MD
LG