Lidhje

21 Janari 2011, opozita kujton 4 manifestuesit e vrarë


Mbështetës dhe drejtues të partisë socialiste marshim në heshtje në bulevard. Kryetari socialist “procesi gjyqësor po i rivret”. Berisha “ata janë viktima të Edi Ramës”

Në Tiranë sot opozita shqiptare përkujtoi katër viktimat e 21 Janarit të 2011, të cilët mbetën të vrarë gjatë një manifestimi i cili u kthye në një përleshje të dhunshme me forcat e policisë parpara godinës së qeverisë. Mbështetës së opozitës të udhëhequr nga drejtuesit e partisë socialiste marshuan sot në heshtje. Në rreshtin e parë mbaheshin fotografi të mëdha të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikajt. Me lule në duar dhe nën tingujt e muzikës funebre në sfond, mbështetësit e opozitës lëvizën në bulevardin qëndror të kryeqytetit, për t’u ndalur, pranë godinës së qeverisë, aty ku mbetën të vrarë, me armë zjarri, katër viktimat e dy viteve më parë. Familjarët e tyre kanë përsëritur këto ditë thirrjet për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë te qeveria.

Hetimet për 21 Janarin të cilat zgjatën më shumë se një vit, u mbyllën pas ekspertizës së realizuar nga FBI-ja amerikane. Ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe shoferi i tij, si dhe përgjegjësi i taknologjisë në kryeministri u arrestuan. Zoti Prendi u akuzua për vrasjen e një prej protestuesve. Një tjetër oficer i gardës, Agim Llupo, i arrestuar që në 2011 po ashtu u akuzua për vrasje. Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon ende. Në qeli është vetëm oficeri Llupo. Ish komandanti është në gjendje të lirë sikurse dhe shoferi i tij, i akuzuar për fshehja të provave. Ndërsa përgjegjësi i teknologjisë Armando Kasaj, u lirua nga akuzat se kishte fshirë pamjet filmike nga kamerat në godinën e qeverisë dhe u shpall i pafajshëm. Nën hetim përfunduan edhe tre deputetë të partisë socialiste, të dyshuar për organizimin e veprimeve të dhunshme, por cështja ndaj tyre u mbyll pasi përfituan nga aministia me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Pak ditë më parë, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, ambasada amerikane, ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi dhe ambasadori i Osbe-së Eugen Wollfarth, bënë thirrje për “një proces të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike”. Nga ana e saj opozita nuk e ka fshehur asnjëherë skepticizmin ndaj procesit që po zhvillohet për ngjarjet e 21 janarit. Edhe sot kryetari socialist Edi Rama u shpreh se sipas tij vrasjet në Bulevard janë pasuar nga rivrasjet në proces gjyqësor, duke shtuar se “vetëm largimi i pushtetit që vrau mund ta afrojë ditën e vendosjes së drejtësisë”.

Për 21 Janarin foli sot edhe kryeministri Sali Berisha duke rikonfirmuar qëndrimin sipas të cilit, opozita dy vjet më parë kishte tentuar përmbysjen me dhunë të institucioneve. “Ishte akti më I shëmtuar në historinë e institucioneve shqiptare”, deklaroi kryeministri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij. Zoti Berisha bëri përgjegjës kryetarin socialist, ndërsa tha se manifestuasit e vrarë “janë viktimat e Edi Ramës”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG