Lidhje

Shqipëria: "Marrëdhëniet me Serbinë do të rishikohen"


BERISHA

BERISHA

Kjo deklaratë bëhet në vazhdën e reagimeve ndaj heqjes nga ana e forcave policore serbe të pllakës përkujtimore të UÇPMB-së në Preshevë

Në Shqipëri kanë vazhduar reagimet ndaj heqjes nga ana e forcave policore serbe ditën e dielë në Preshevë të pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Në mbrëmje presidenti Bujar Nishani u shpreh se veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit. Më herët kryeministri Sali Berisha kishte deklaruar se Tirana do të rishikojë marrëdhëniet me Beogradin, ndërsa e kish cilësuar ndërhyrjen serbe si shprehje të racizimit dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve nga ana e autoriteteve të Beogradit

Autoritetet më të larta të Shqipërisë janë rreshtuar njëzëri kundër vendimit të Beogradit i cili të dielën dërgoi forcat e xhndarmërisë serbe për të hequr nga qendra e Preshevës monumetin e ngritur për nder të pjestarëve të rënë të ish UCPMB-s. Presidenti Bujar Nishani, përmes një deklarate të shpërndarë mbrëmë u shpreh se “ndërkohë që autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta”. Sipas presidentit Nishani “veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit.”

Nga ana e saj edhe ministria e Jashtme shqiptare i kërkoi “Qeverisë serbe të respektojë dhe zbatojë të gjitha detyrimet dhe angazhimet si shtet anëtar në organizatat ndërkombëtare ku ajo është palë” duke siguruar se:

“Shqipëria nuk do të ndalet së mbrojturi interesat e pakicës shqiptare atje, në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe gjithë standardet ndërkombëtare në këtë fushë”.

Më herët gjatë ditës së djeshme kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se “marrëdhëniet me Serbinë do të rishikohen”. Dje u njoftua anullimi i një vizite zyrtare në Beograd të ministrit shqiptar të Shëndetësisë Vangjel Tavo, e parashikuar për në muajin mars. Ndërsa ambasadori I Shqipërisë në Beograd u thirr me urgjencë në Tiranë.

Kryeministri Berisha tha se ngjarjet në luginën e Preshevës “shpalosën dhe një herë me egërsi të vërtetë racizmin, urrejtje dhe frikën ndaj shqiptarëve prej autoriteteve të Beogradit”. Ai premtoi se Shqipëria do të bëjë c’është e mundur për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe se do ta ngrejë këtë cështje edhe pranë organizmave ndërkombëtare. Nga ana tjetër kryeministri ju drejtua me një thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të mos përdoren dy standarte, një për serbët e Mitrovicës së Veriut dhe një standart për shqiptarët e Preshëves, që janë sot zona më e varfër në Europë. Serbia – shtoi ai - nuk mund të kërkojë asnjë të drejtë më shumë sec përcaktojnë të drejtat europiane, dhe ato duhen zbatuar si për serbët e Mitrovicës dhe shqiptarët e Preshevës”. Zoti Berisha ju rikthye edhe një herë idesë së bashkimit të kombit shqiptar “si e vetmja rrugë që shqiptarët të mbrojnë të drejtat e fituara me gjak”.

Kryeministri shqiptar dënoi edhe incidentet që pasuan në Kosovë, më sulme ndaj objekteve apo institucioneve serbe. “Qeveria e Kosovës të marrë të gjitha masat. Eshtë gabim fatal të imitosh falangat e terrorit të Beogradit”, deklaroi kryeministri.

Edhe presidenti Nishani u bëri “thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në rajon për maturi dhe të veprojnë në mënyrë demokratike”. Ndërsa ministria e Jashtme kërkoi që “shqiptarët kudo në rajon, të qëndrojnë në lartësinë e vlerave evropiane që bashkëndajnë, dhe të shmangin çdo provokim që kërkon të përshkallëzojë gjendjen e sigurisë në rajon, dhe të tjetërsojë përpjekjet legjitime e historike për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të tyre”.
XS
SM
MD
LG