Lidhje

Aleanca e Netanyahut fiton zgjedhjet parlamentare


israel voting
israel voting

Analistët parashikojnë pak ndryshime në politikat mbi çështjet e sigurimit

Në Izrael, siç njofton Komisioni i Zgjedhjeve, rezultatet paraprake tregojnë se aleanca e djathtë e Kryeministrit Benjamin Netanyahu ka fituar zgjedhjet e djeshme parlamentare, ndërkohë që partitë e qendrës dhe ato të majta siguruan vende shtesë në parlament, duke bërë që blloku i djathtë dhe ai i majtë të kenë thuajse një numër të barabartë vendesh. Zoti Netanyahu është zotuar të krijojë një qeveri koalicioni gjithëpërfshirëse, por analistët parashikojnë pak ndryshime në politikat e Izraelit lidhur me çështjet e sigurimit dhe çështgje të tjera të rëndësishme rajonale.

Aleanca e Partisë Likud e Kryeninistrit Netanyahu dhe partisë së djathtë, Izraeli - Atdheu Ynë, shpallën fitoren në zgjedhjet e djeshme parlamentare, duke thënë se zotit Netanyahu do t’i kërkohet të formojë qeverinë e ardhshme.
Sipas parashikimeve, partitë e qendrës morën vota në zgjedhje, duke fituar më shumë vende në parlament. Edhe politikanët e rinj të krahut të djathtë arritën rezultate pozitive. Analistët thanë se kjo tregon se shumë votues duan ndryshime.

Kryeministri Netanyahu u zotua të zgjidhë çështjet shoqërore dhe ekonomike, të cilat mbizotëruan fushatën, megjithatë ai la të kuptohej se politikat e tij mbi sigurimin rajonal nuk do të ndryshojnë.

“Së pari, sigurimi i fuqishëm përballë sfidave, me të cilat ndeshemi. Dhe sfida kryesore ka qënë dhe vazhdon të jetë moslejimi i Iranit që të zotërojë armë bërthamore”.

Liliane Brunswich, e cila votoi në lagjen e pasur të Jeruzalemit, Kolonia Gjermane, tha se siguria përbën shqetësimin e saj kryesor.

“Unë dua që qeveria jonë të mbrojë Izraelin”.
Rezultatet e para tregojnë se aleanca e zotit Netanyahu humbi të paktën 10 vende në parlamentin Knesset. Profesori i shkencave politike, Avraham Diskin tha se mungesa e përparimit për zgjidhjen e konfliktit Izraelito-Arab ka polarizuar elektoratin.

“Gati 70 për qind e votuesve mbështesin zgjidhjen e konfliktit me dy shtete. Ata mbështesin negociatat me Autoritetin Palestinez. Por po ashtu 70 për qind e izraelitëve, megjithëse jo e njëjta përqindje, nuk besojnë se do të arrihet një marrëveshje paqësore”.

Në lagjen arabe Beit Safafa, Khalil Salman thotë se nuk pret shumë nga qeveria e ardhshme.

“Nuk pres që qeveria e re të jetë më e mirë, megjithatë shpresoj të jetë ndoshta pak më e mirë.”
Komentatori politik, Danny Rubinstein thotë se izraelitët janë të shqetësuar rreth shtimit të udhëheqësve islamistë në vendet fqinje në mesin e kryengritjeve në botën arabe.

“Ajo që ndodhi në botën arabe, veçanërisht në Egjipt dhe në Siri, provoi për izraelitët se arabëve nuk mund t’u besohet. Ne mund të arrijmë një marrëveshje me regjimin në Egjipt ose në Siri dhe pa pritur ky regjim bie dhe vjen në pushtet një regjim tjetër”.
Si rezultat, analistët parashikojnë se theksi tek ruajtja e aftësive të sigurimit do të vazhdojë të jetë në thelb të politikës izraelite në rajon.
XS
SM
MD
LG