Lidhje

Kim Philby - 50 vjet nga arratisja e agjentit britanik


50 vjet më parë, më 23 janar 1963, një ndër agjentët më të rëndësishëm të zbulimit britanik, Kim Philby, u arratis në Moskë. Agjenti i dyfishtë ishte pjesë e së ashtuquajturës "Pesëshe e Kembrixhit", një grup agjentësh që i kalonte sekrete Bashkimit Sovjetik nga mesi i viteve 1930 deri në mesin e viteve 1950, ndërkohë që punonin për shërbimin e kundërzbulimit britanik MI-6.

Në vitin 1963, Lindja dhe Perëndimi ndaluan provat e armëve bërthamore në atmosferë. Fuqitë e mëdha bërthamore u mblodhën në Moskë në janar të atij viti. Ato nënshkruan një marrëveshje, e cila në perëndim u quajt hapi i parë drejt shkrirjes në Luftën e Ftohtë.

Por megjithë këto lëvizje diplomatike, agjentët e zbulimit të të dyja palëve nuk e kishin ndërprerë për asnjë çast Luftën e Ftohtë.
Mes këtyre agjentëve ishte Kim Philby, emri i plotë i të cilit ishte Harold Adrian Russell "Kim" Philby.

Philby njihet si agjenti që i solli më shumë dëm zbulimit perëndimor, sepse ai u dha sovjetikëve sekrete për 26 vjet me radhë deri sa u arratis në Moskë në vitin 1963.
Philby mendohet se ishte njeriu që u zbuloi sovjetikëve planet e shërbimeve të fshehta të zbulimit britanik, i cili në bashkëpunim me zbulimin amerikan dërgonte në Shqipëri agjentë për të përmbysur regjimin komunist shqiptar. Në Atë kohë, Philby shërbente si ndërmjetës i britanikëve me amerikanët. Si rrjedhojë, operacionet e Perëndimit në Shqipëri përfunduan me dështim dhe agjentët shqiptarë të rekrutuar nga grupet e emigrantëve u pushkatuan ose përfunduan në burgjet e regjimit.

Në korrik të vitit 1963, zyrtarët sovjetikë njoftuan se Kim Philby-t i ishte dhënë strehim politik si dhe shtetësia sovjetike.

Në vitin 1988, kur vdiq në mohën 76-vjeçare, për Philby-n KGB-ja sovjetike organizoi një funeral me ceremoni të plota dhe, megjithë ndryshimet politike në Rusinë pas-sovjetike, shërbimi i fshehtë i vendit ende e konsideron atë si hero.
Mikhail Lyubimov, agjent sovjetik në Londër nga viti 1961 deri më 1965, thotë se Philby besonte në çështjen e komunizmit.

"Mendoj se Philby ishte vërtet një njeri i madh. Jam takuar shumë herë me të dhe kemi pirë shumë uiski bashkë. Por përse u bë ai agjent i sovjetikëve? Sepse në atë kohë ai ishte komunist dhe detyra e çdo komunisti ishte të ndihmonte në çështjen e revolucionit botëror, për ta kthyer botën në socialiste. Megjithëse nuk ishte anëtar i hapur i Partisë Komuniste, ai merrte pjesë në shumë mbledhje."

Lyubimov ishte eprori i Philby-t në Moskë, i emëruar në këtë detyrë nga Drejtoria e Parë e KGB-së që merrej me zbulimin e huaj.

Në vitin 1965, Lyubimov u shpall person i padëshirueshëm dhe u dëbua nga Britania.
Pas arratisjes, Philby u mbajt pothuajse nën arrest shtëpiak në Moskë dhe të gjithë ata që i shkonin për vizitë kontrolloheshin nga KGB-ja.
Lyubimov e shpjegon qëndrimin e Philby-t me dëshirën e tij për të plotësuar detyrën si komunist për të përhapur politikat sovjetike në botë, pasi sipas tij, alternativa do të ishte të rreshtohej me Hitlerin pas Paktit të Mynihut të 29 shtatorit 1938.

Rusët ngulin këmbë se ndryshe nga bashkëpunëtorët e tjerë të KGB-së, Philby nuk morri kurrë para nga sovjetikët.

Viktor Kremenyuk, analist politik, thotë se arratisja e Philby-t u motivua nga pikëpamjet e tij socialiste, por në fund të fundit ai ishte një tradhtar.

"Jo sepse ata kishin nevojë për para por thjesht sepse ishin intelektualë që besonin në të ardhmen e ideve komuniste. Ndërsa për palën tjetër kjo ishte një tradhti ndaj vendit, ishte një krim."

Kremenyuk thotë se Philby dhe agjentët e tjerë që punonin në Britani për Bashkimin Sovjetik, shumë shpejt e kuptuan se regjimi që ata ndihmuan ishte totalitar.

"Regjimi diktatorial bazohej në terrorin, në veprime të paligjshme dhe në shumë gjëra të tjera të urryera, të papranueshme për çdo evropian të cilësdo bindjeje."

Kremenyuk thotë se Philby, ashtu si dhe agjentë të tjerë që punuan për sovjetikët, u zhgënjyen nga regjimi sovjetik.

Që nga arratisja e tij në vitin 1963, Philby i kaloi të 18 vitet e fundit të jetës në Moskë, ku jetoi i vetmuar, i zhgënjyer nga komunizmi dhe në luftë të përhershme me alkoholizmin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG