Lidhje

Portretet e Manesë në Londër


manet
manet
Një ekspozitë e re paraqet portretet e piktorit francez të impresionizmit, Edouard Manet. Ekspozita “Manet: Portreti i jetës”, e cila përshkon të gjithë karrierën e këtij artisti enigmatik dhe shpesh të debatueshëm është hapur në Akademinë Mbretërore në Londër.

Ka pasur shumë ekspozita me punimet e Manesë, por për herë të parë, në Londër është hapur një ekspozitë që përqendrohet tek portretet e tij.

Autoportreti i piktorit, që hap ekspozitën, është një imazh që e paraqet atë si një njeri gjatë kohës së lirë e jo si një artist.

Edouard Manet përpiqej të pasqyronte imazhe të njerëzve të zakonshëm si subjekte të tij, me personazhet që vinin në jetë mbi kanavacë. Por shumë shpesh ai e krijonte vetë imazhin e "realitetit", dhe personat e vërtetë në pikturë ishin familjarë dhe miq.
Thjeshtëri i tij, Leon Leenhoff, ishte modeli për këto dy piktura simbolike: "Dreka" dhe "Djali duke bërë flluska".

MaryAnne Stevens, drejtoreshë e çështjeve akademike e Akademisë Mbretërore të Arteve, shpjegon se si artisti ndërthuri aspekte të ndryshme të shprehjes së tij artistike:

"Ai është një piktor portretesh plotësisht i angazhuar, por është gjithashtu shumë i rëndësishëm fakti - i pasqyruar edhe në këtë ekspozitë - që kur pikturonte skena nga jeta bashkëkohore, të cilat përbëjnë një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm të artit të tij, ai zgjidhte familjarë dhe miq për t’i pikturuar në portrete, në këto skena të jetës bashkëkohore pariziane."

Ekspozita përbëhet nga më shumë se 50 vepra, dhe në mesin e tyre ka disa portrete të njeriut që ai pikturonte më shpesh, bashkëshortes së tij, Suzanne Leenhoff. Suzanne është pikturuar si vetvetja në "Madame Manet në Konservator", por ka shërbyer si modele edhe për shumë piktura të tjera si "Gruaja me mace."

Por është vepra e famshme "Muzikë në parkun e Tyilërisë", e cila më parë nuk konsiderohej si portret, që cilësohet si piktura qendrore e kësaj ekspozite dhe si çelësi për të kuptuar punën e piktorit.

Kuratorja Stevens shpjegon arsyen.

"Ajo që nuk përbën risi, është identifikimi i njerëzve në piktura si "Muzikë në parkun e Tyilërisë", "Dreka" apo "Hekurudha". Gjëja e re e sjellë nga kjo ekspozitë është rëndësia e të diturit nga ana jonë se cilët janë njerëzit në pikturë. Është ndryshe nëse thjesht dallon një model të përdorur për pikturën, nga analizimi i faktit që artisti kërkon me ngulm që ne të dimë se ai njeri është Bodleri për shembull, dhe kjo është shumë e rëndësishme." - thotë ajo

Njeriu i parë në anën e majtë të pikturës me kapelë të gjatë thuhet të jetë vetë Edouard Manet. Njerëzit e tjerë në pikturë përfshijnë gruan e tij dhe poetin Bodler.

Sophie Ponet Larget-Piet, kritike arti dhe shkrimtare për revistën L'Echo, thotë se më në fund Manet është duke u rizbuluar nga bota e artit:

"Sytë e të gjithëve janë drejtuar tani tek ky artist, i cili po rifiton “titujt e tij të fisnikërisë”. Ai kishte qenë paksa në hije nga impresionistët sepse ishte asimiluar në atë grup dhe më pas në grupin e post-impresionistëve dhe kubistëve. Me këto dy ekspozita, këtë këtu në Londër dhe atë të mëparshme në Paris, jemi në gjendje të rizbulojmë Manenë që i hapi derën modernizmit."

Ekspozita “Manet: Portreti i jetës”, është organizuar nga Akademia Mbretërore e Arteve në Londër, në bashkëpunim me Muzeun e Artit Toledo, në Ohajo. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 14 prill.

XS
SM
MD
LG