Lidhje

27 janari, dita Ndërkombëtare e Holokaustit


Asambleja e Përgjithshme OKB-së e caktoi 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Kjo datë përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau nga forcat sovjetike në vitin 1945.

Të mbijetuar të Holokaustit, politikanë dhe udhëheqës fetarë e shënuan ditën e sotme me lutje solemne dhe me premtimet për të që të mos lejojnë më kurrë përsëritjen e tragjedive të ngjashme. Ceremoni u zhvilluan sot në ish-kampet e vdekjes në Auschwits-Birkenau, ku udhëheqësi i Gjermanisë naziste, Adolf Hitleri vrau të paktën 1,1 milionë njerëz, shumica e tyre hebrej, në jug të Polonisë.

Në Varshavë, njerëzit u lutën tek një monument që i kushtohet luftëtarëve të Kryengritjes së Getos së Varshavës, të vitit 1943. Papa Benedikti paralajmëroi se njerëzimi duhet të jetë kurdoherë vigjilent që të mos ketë më një përsëritje të vrasjeve mbi baza raciste.

Presidenti Barak Obama u zotua se do të parandalojë genocidin, ndërsa nderoi kujtimin e “6 milionë hebrejve dhe miliona viktimave të tjera të pafajshme, të cilëve ju mor jeta në mënyrë tragjike gjatë Holokaustit mbi 60 vjet më parë”. Presidenti tha se ky përvjetor është “momenti për të vepruar”.

Megjithatë, jo të gjitha komentet e udhëheqësve botërorë dhanë tonin e duhur për këtë ngjarje. Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni shkaktoi zemërim, kur vlerësoi diktatorin e luftës Benito Musolini, se “bëri të mira”, përveçse persekutoi hebrejtë dhe lejoi deportimin e mijëra prje tyre në kampin e Auschwitzit. Berlusconi foli në një ceremoni ku u përkujtua Dita e Holokaustit në Milano.

Po sot, në një deklaratë për shtyp sot, Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian bëri thirrje për përpjekje më të mëdha për të luftuar rastet e mungesës së tolerancës, duke theksuar rëndësinë e edukimit të rinisë me konceptin e të drejtave të njeriut. OSBE-ja i bëri thirrje shteteve anëtare të krijojnë programe edukative për të ngulitur kujtimin e Holokaustit tek brezat e ardhshëm, për të parandaluar raste të reja të genocidit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG