Lidhje

Franca shton masat e sigurisë

  • Henry Ridgewell

Franca ka dërguar forca speciale për të ruajtur minierat në Niger, të cilat furnizojnë pjesën më të madhe të uraniumit për industrinë e saj të energjisë bërthamore. Po në Francë, qeveria ka rritur gadishmërinë nga rreziku terrorist në nivelin e dytë më të lartë, madje ka shtuar masat e sigurimit në ndërtesat qeveritare dhe qendrat turistike. Dhe të gjitha këto masa merren për shkak të shqetësimeve për akte hakmarrëse si në vend edhe nëpër botë pas ndërhyrjes ushtarake të Francës në Mali.

Trupa të armatosura patrullojnë përreth Kullës Eifel, ndërsa vizitorët nuk përfillin dimrin me akull në Paris.

Franca ka dislokuar mbi 700 ushtarë në kryeqytet, ndërsa shtohen shqetësimet lidhur me mundësinë e hakmarrjes pas ndërhyrjes së armatosur të Francës në Mali.

Një numër faqesh elektronike islamike po bëjnë thirrje për sulme kundër Francës, thotë Jean-Charles Brisard (Zhan Sharl Brizar), ekspert francez i terrorizmit dhe ish krye-hetues për familjet e sulmeve të 11 shtatorit.

“Ata po bëjnë thirrje për hakmarrje në Afrikë, sepse ata mund ta bëjnë një gjë të tillë në Afrikë, por për Francën ata po bëjnë thirrje për Mohammed Merahu të tjerë dhe po nxisin terrorizmin në vend”.

Kjo ka një rezonancë të thellë në Francë, vetëm 10 muaj pasi 3 ushtarë dhe 4 qytetarë hebre u vranë në një seri sulmesh në qytetin jugor të Toulouse. Personi i armatosur, i lindur në Francë, Mohammed Merah, tha se u motivua pjesërisht nga prania e ushtarëve francezë në Afganistan.

Hetuesit thanë se ai nuk veproi i vetëm. Eksperti i terrorizmit, Jean-Charles Brisard thotë se disa faqe elektronike aktive kanë lidhje direkte me Sahelin.

"Në Francë ka rreth 30 celula terroriste, që mbështesin financiarisht, materialisht ose rekrutojnë për Al-Kaidën në Maghrebin islamik”.

Masat e sigurisë janë shtuar edhe në shërbimet e metrosë dhe të autobuzëve në Paris. Sulmet terroriste në Londër në vitin 2005 dhe në Madrid më 2004 kishin në shënjestër sistemet e transportit publik.

Shumica e banorëve duket se kanë besim tek autoritetet për të ruajtur sigurinë.

“Nuk jam e shqetësuar, mendoj se Franca është gati t’u rezistojë vetë sulmeve terroriste”, thotë një prej tyre.

“Natyrisht që duhet të jesh i kujdesshëm, por ajo që ushtria franceze po bën në Mali është pozitive për njerëzimin dhe për gjithë botën”, thotë një tjetër banor.


Me shtimin e masave të sigurimit në vend, ekspertët thonë se objektivat më të pambrojtura janë interesat franceze dhe perëndimore në Afrikë.
Sulmi i militantëve islamikë në uzinën e gazit Ain Amenas në Algjeri javën e kaluar shkaktoi vdekjen e të paktën 37 punëtorëve të huaj.
Përveç 2 mijë e 500 trupave të dislokuara në Mali, Franca ka dislokuar forca speciale për të mbrojtur minierat e uraniumit në Niger. Damien Helly (Damien Eli') është profesor në Kolegjin e Evropës.

“Franca varet nga uraniumi në Sahel për pjesën më të madhe të energjisë elektrike. Dhe si rezultat, një pjesë e madhe e zhvillimit evropian varet nga mbarëvajtja e ekonomisë franceze”.

Megjithë paralajmërimet e qeverisë për rritjen e rrezikut të terrorizmit, anketat e fundit të opinionit tregojnë se 65 për qind e francezëve mbështesin ndërhyrjen ushtarake në Mali. Dhe për shumicën e parizianëve, si dhe të turistëve, duket se jeta në kryeqytet vazhdon normalisht.
XS
SM
MD
LG