Lidhje

Debatet në Senat për konfirmimin e emërimeve


Pas konfirmimit nga Senati të zotit John Kerry si Sekretar i Shtetit, Presidenti Barack Obama është duke pritur edhe konfirmimin e disa kandidatëve të tjerë të kabinetit, duke përfshirë Chuck Hagel, si Sekretar i Mbrojtjes dhe Jack Lew si Sekretar i Thesarit. Por dekadat e fundit betejat politike për konfirmimet në Senat të propozimeve për kabinetin apo Gjykatën e Lartë kanë ardhur duke u ashpërsuar.

John Kerry, i zgjedhur nga Presidenti si sekretar shteti, gjatë seancës dëgjimore në Senat për konfirmimin e tij, ishte i shoqëruar nga zonja Hillary Clinton.
Sipas Kushtetutës amerikane, Senati miraton anëtarët e kabinetit qeverisës, të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Si pjesë e procesit të konfirmimit, komisionet e Senatit zhvillojnë seanca dëgjimore për kandidatët kryesorë, gjatë të cilave mund të bëjnë pyetje senatorët e të dyja partive.
Seancat gjithashtu tërheqin protestues të rastit.

Debatet gjatë këtij procesi janë bërë gjithnjë e më të ashpra në vitet e fundit, thotë historiani Allan Lichtman.

"Tradicionalisht, presidentët arrijnë të sigurojnë konfirmimin e emërimeve të tyre, dhe ky mbetet rregulli. Megjithatë, që nga vitet 1980, debatet për konfirmimet janë bërë gjithnjë e më të ashpra dhe politike."
Kjo prirje filloi me betejën e ashpër në vitin 1987 mbi emërimin nga konservatorët të Robert Bork si anëtar i Gjykatës së Lartë, kandidaturë që demokratët e rrëzuan.
Ish senatori John Tower nuk u lejua të bëhej sekretar i mbrojtjes, dy vjet më vonë.
Në vitin 1991, Clarence Thomas u konfirmua si anëtar i Gjykatës së Lartë, por vetëm pas një beteje të ashpër në senat.

Të dyja palët tani i shohim betejat për konfirmim si pjesë e lojës, thotë analisti John Fortier.

"Më parë, shpesh mendohej se Presidenti duhej lejuar të bënte zgjedhjen e vet, nëse kandidatura i përmbahej disa kufijve. Sot, shumë anëtarë të partisë opozitare kundërshtojnë shumë prej emërimeve."

Gjithçka është pjesë e rritjes së polarizimit politik në Uashington, thotë zoti Lichtman.

"Tani në Amerikë kemi atë që unë e quaj fushatë e pandërprerë. Nuk duket të respektohen as presidentët e as emërimet presidenciale, qoftë edhe kur gjendemi larg zgjedhjeve. Duket sikur zhvillohet fushatë në çdo kohë, dhe nëse një kandidat i emëruar shfaqet si një objektiv i përshtatshëm sulmi, pse të hezitohet?"

Zoti Fortier thotë se beteja e ardhshme e madhe për konfirmimet mund të zhvillohet në qoftë se do të duhet të zëvendësohet një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë.

"Ajo do të ishte një betejë e vërtetë, veçanërisht nëse do të kishim një gjyqtar konservator që del në pension me mundësinë për t’u zëvendësuar nga një tjetër më liberal. Ai do të ishte një debat konfirmimi që do të mund të ngrihej në çështje të rëndësishme kombëtare."

Deri tani, Presidenti Obama ka siguruar konfirmimin për dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan.

XS
SM
MD
LG