Lidhje

Riciklimi dhe eliminimi i plehrave


Suedia po merr emër si një ndër vendet më të dedikuara ndaj pastërtisë së mjedisit. Ky vend skandinav është shumë aktiv në përpjekjet për të eliminuar plehrat, në mënyrë që të mos shndërrohen në burim të rrezikshëm metalesh të rënda që ndosin rrjetin ujor, por të shfrytëzohen për prodhim energjie.

Artikuj të përditshëm si qese plastike, rroba të vjetra, kuti kartoni – konsumatorët mund të mos mendohen gjatë kur i hedhin këto objekte në plehra, por në Stokolm të Suedisë ato shërbejnë për të prodhuar energji dhe për të ngrohur mjediset e banimit.

Stokolmi ka një impiant që punon pa ndërprerje për diegien e plehrave. Çdo vit, impianti Hogdalen djeg në vit 700 mijë tonë plehra dhe prodhon energji për të ngrohur 20 për qind të banesave suedeze dhe për të furnizuar me energji rreth 250 mijë shtëpi.

Por në ditët tona, lënda e parë e impiantit – plehrat, nuk gjenden më kollaj. Me shtimin e përpjekjeve për riciklim, sasia e plehrave që ofrohet për diegie ka rënë. Në vitin 2011, 32.8 për qind e mbetjeve të familjeve suedeze u ricikluan. Nëse përfshijmë këtu edhe mbetjet ushqimore që riciklohen për të prodhuar pleh organik, kjo shifër arrin në 47 për qind. Në Shtetet e Bashkuara, kjo shifër është vetëm 34 për qind dhe në pjesën tjetër të Evropës është 40 për qind.

David Nilsson është shumë i rregullt në riciklim:

“Ricikloj gazeta, karton, objekte plastike, metal, qelq me ngjyrë dhe të tejdukshëm. Një pjesë të klasifikimeve e bëj këtu, pastaj bëj ndarjen përfundimtare në qendrën e riciklimit”.

Ky entuziazëm për riciklimin ka çuar në mungesa në masën 1.6 milionë tonë të sasisë së plehrave që nevojiten për nevojat e ngrohjes dhe prodhimit të energjisë. Për të zgjidhur këtë problem, Suedia po importon plehra nga pjesa tjetër e Evropës. Pjesa më e madhe e mbetjeve të importuara vijnë nga Norvegjia, por ka sasi të importuara edhe nga Britania dhe Italia. Megjithëse procesi bazohet tek djegia, Catarina Ostlund e Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit thotë se kjo zgjidhje është më pozitive për mjedisin:

“Shumë vende nuk kanë impiante për djegie dhe sisteme të mira për riciklimin e materialeve. Ata i mbledhin plehrat në pika grumbullimi, apo landfille, ku çlirojnë gaze dhe elementë të dëmshëm në ajër apo në ujërat nëntokësore”.

Në Suedi vetëm 1 për qind e mbetjeve përfundojnë në landfille, krahasuar me 54 për qind në Shtetet e Bashkuara. Djegia nuk është zgjidhja ideale, pasi rezulton në çlirimin e gazeve ndotëse në atmosferë, por është një zgjidhje më e mirë se depozitimi i plehrave në landfille. Ake Wikstrom i kompanisë Fortum që menaxhon impiantin Hogdalen, thotë se djegia realizohet me teknologjinë më moderne për të reduktuar sa më shumë gazet e dëmshme:

“Këto impiante sot shkaktojnë dëme shumë më të pakta në mjedis. Kemi disa procese për pastrim, për elimimin e metaleve të rënda në mënyrë që të mos ndotin mjedisin”.

Suedia nuk është e vetmja që shfrytëzon plehrat për prodhim energjie. Gjermania, Holanda dhe Belgjika operojnë impiante të tilla, të cilat shfrytëzojnë edhe plehra të importuara për të funksionuar në kapacitet të plotë. Parashikohet që me shtimin e kapaciteteve ricikluese në vende të tjera evropiane, në të ardhmen Suedia do ta ketë të vështirë të gjejë plehra për të importuar. Por do të duhet kohë për të arritur deri në atë pikë. Ekzistenca e 140 milionë tonë mbetjesh në pika të ndryshme grumbullimi në Evropë nënkupton që impiantet suedeze të djegies do të kenë lëndë të parë edhe për shumë vite të tjera.

XS
SM
MD
LG