Lidhje

Shqipëria dhe Kosova në raportin për treguesit e lirisë së shtypit


Sipas raportit të ri të organizatës Gazetarët pa Kufij për Treguesin e Lirisë së Shtypit në Botë, Shqipëria renditet në vendin e 102, duke zbritur 6 pikë nga një vit më parë. Kosova është në vend të 85, duke u ngritur një pikë.

Raporti shpreh shqetësim sidomos për Maqedoninë, e cila zbriti 22 vende duke u renditur e 116-a në listë. Përsa i përket Ballkanit, raporti flet për vazhdimin e dukurive të tilla si procese gjyqësore ndaj gazetarëve të bazuara në ligje shpesh të papërshtatshme, dhunë fizike dhe psikologjike ndaj njerëzve të medias dhe kontrolli i ekonomisë gri mbi disa pjesë të rëndësishme të medias.

Të gjitha këto raporti i cilëson si pengesa ndaj së drejtës për të raportuar lajmin dhe i së drejtës së njerëzve për të marrë informacion. Pas shembujve të rrezikshëm të Hungarisë dhe Italisë, thuhet në raport, parlamenti i Maqedonisë po përgatitet për të ligjëruar censurën. Për Hungarinë, në raport thuhet se ajo ra në vend të 56, ose 16 pikë më poshtë, pasojë kjo e ligjeve shtypëse ndaj medias, gjë që ndikon mbi mënyrën se si praktikohet gazetaria.

Por më shqetësues, thotë raporti, është rasti i Greqisë, e cila ra në vend të 84, ose 14 vende më poshtë. Në raportin e organizatës thuhet se gazetarët në Greqi janë të ekspozuar ndaj zemërimit popullor dhe ndeshen me dhunë të vazhdueshme nga ana e ekstremistëve dhe e policisë. Gazetarët dhe fotoreportërët në Greqi, thuhet në raport, duhet të përballen tani edhe me veprimtarët ultra të dhunshëm neonazistë të Partisë Agimi i Artë.
XS
SM
MD
LG