Lidhje

Senati në seancë dëgjimore për dhunën nga armët


Debati mbi kontrollin e armëve vazhdoi sot në Komisionin e Senatit për Çështjet Juridike, ndërsa ligjvënësit dëgjuan dëshmi rreth parandalimit të dhunës gjatë seancës së parë dëgjimore në Kongres që prej incidentit të muajit të kaluar në një shkollë fillore në qytetin Newtown të shtetit Connecticut.

Ish anëtarja e Kongresit, Gabrielle Giffords, e cila u plagos nga të shtënat e armëve para pak më shumë se 2 vjetësh në janar të vitit 2011 në Tucson të shtetit Arizona, hapi seancën.

Ajo tha: "Ky është një diskutim i rëndësishëm për fëmijët tanë, për komunitetin tonë, për demokratë dhe për republikanët. Dhuna është problem i madh. Shumë fëmijë po vdesin. Ne duhet të bëjmë diçka, do të jetë e vështirë, por koha për këtë është tani".

Në anën tjetër të debatit është Shoqata Kombëtare e Armëve, në emër të së cilës dëshmoi presidenti i saj, Wayne LaPierre. Ai tha se propozimet, që vetëm rëndojnë mbi qytetarët, që respektojnë ligjin, kanë dështuar në të kaluarën dhe do të dështojnë në të ardhmen".

Ai shprehu mbështetje për zbatimin më mirë të ligjeve ekzistuese, për shtimin e sigurisë nëpër shkolla dhe mos lejimin e armëve në duart e njerëzve të sëmurë mendorë.
Amendamenti i dytë i kushtetutës amerikane garanton të drejtën e armëmbajtjes, por debati i tanishëm po përqëndrohet në kontrollin e armëmbajtjes, pas vrasjes së 20 fëmijëve dhe 6 të rriturve në shkollën Sandy Hook në Newtown.
.
XS
SM
MD
LG