Lidhje

BlackBerry prezanton dy telefona të rinj inteligjentë


Prodhuesi kanadez i telefonave inteligjentë Research In Motion ((RIM)) që prodhon telefonat BlackBerry, thotë se është rikthyer në treg. Kompania është duke u përpjekur të ribëhet lojtar kryesor në tregun e telefonave inteligjentë, të cilin ajo dikur e ka dominuar. Vitet e fundit kanë qenë një kohë e vështirë për kompaninë, pasi klientët i kanë braktisur pajisjet e saj në favor të pajisjeve të reja dhe më të njohura. Siç na njeh materiali në vazhdim, ky mund të jetë shansi i fundit i kompanisë që të mbetet një konkurrent jetik në tregun e madh të telefonave inteligjentë.

“Zonja dhe zotërinj, me krenari po ju prezantojë modelin Z10 dhe Q10 të Blackberry-it”.

Dy pajisje të reja dhe ndoshta një fillim i ri për kompaninë e cila para tre vitesh kontrollonte 20 përqind të tregut botëror. Ajo tani kontrollon pak më shumë se tre për qind të tregut të telefonave inteligjentë.

Për presidentin e kompanisë BlackBerry, Thorsten Heins, ky është një tjetër shans për ta ringjallur emrin dhe reputacionin e kompanisë.

“Ne kemi qenë pjesë e transformimit jo vetëm të produkteve dhe biznesit tonë por unë besoj se ne do të jemi pjesë e një transformomimi të komunikimit dhe industrisë së telefonave celularë”.

Kompania premton të njëjtin nivel të lartë të rrjetit të sigurisë për të cilin BlackBerry është i njohur së bashku me një funksion më të shpejtë kërkimi në internet, një sistem operativ më të mirë, dhe një bibliotekë me më shumë se 70 mijë aplikacione. Z10 i ngjan më shumë telefonave të njohur me prekje të ekranit, por modeli Q10 do ta ketë edhe tastierën e veçantë të telefonave BlackBerry.

Përveç përmirësimeve të reja teknike dhe kozmetike, zoti Heins thotë se kompania nuk do të quhet më RIM.

“Klientët tanë përdorin BlackBerry, punonjësit tanë punojnë për kompaninë BlackBerry dhe aksionarët tanë janë pronarë të BlackBerry-it. Nga sot e tutje, ne jemi kompania BlackBerry”.

Investitorët janë në pritje të reagimit të konsumatorëve. Aksionet e kompanisë kanë pësuar rënie deri në 90 për qind në katër vitet e fundit, ndërkohë që ajo ka humbur terren ndaj konkurrentëve. Por aksionet e kompanisë janë dyfishuar në katër muajt e fundit për shkak të pritshmërisë për modelet e rinj të telefonave.

Analistët thonë se pajisjet e reja mund të jenë përcaktuese për fatin e kompanisë e cila nisi revolucionin teknologjik të telefonave inteligjentë.
XS
SM
MD
LG