Lidhje

Stacioni Qendror i Trenave të Nju Jorkut mbush 100 vjeç


Këtë muaj është 100 vjetori i Stacionit Qendror të Trenit në Nju Jork, i cili përbën një nga simbolet kryesore të qytetit. Për të shënuar këtë përvjetor, është planifikuar që aty të zhvillohen aktivitete gjatë gjithë vitit. Stacioni Qendror i Trenave në Nju Jork është objekti turistik i gjashtë më i vizituar në botë.

Një nga yjet e kësaj skene në filmin North By Northwest, të vitit 1950, është vetë stacioni i trenit të Nju Jorkut.
Ndërtesa e madhe me gurë gëlqerorë nuk ka ndryshuar shumë që nga koha kur u hap, në shkurt të vitit 1913.

Pamja ende mahnit vizitorët. Rreth 750 mijë njerëz kalojnë në mjediset e stacionit çdo ditë. Disa shkojnë në dyqane ose kalojnë kohën. Shumë të tjerë shkojnë pasi udhëtojnë me metro ose me tren.

Ky është stacioni hekurudhor më i madh në botë, me 44 platforma që përdoren për 67 binarët e tij, të cilët janë të gjithë nëntokë.
Salla kryesore, me dritaret e saj me harqe, me orën me katër anë dhe banakët klasikë të biletave, është shfaqur edhe në filma të fundit, duke përfshirë "The Fisher King", në të cilin udhëtarët shndërrohen në çifte që vallëzojnë.

"Stacioni Qendror është një lloj tempulli, apo katedraleje, që dëshmon madhështinë e transportit hekurudhor. Diçka që vetë Zoti do të ndërtonte, nëse do të kishte para."
Dan Brucker ka punuar për 30 vjet për departamentin e transportit të Nju Jorkut në Stacionin Qendror të Trenave. Por vitet nuk e kanë zbehur entuziazmin e tij për terminalin.

"Kjo është arkitekturë e fillimit të shekullit 20-të. Dhe kur njerëzit viijnë këtu, shpesh nuk e kuptojnë që tavani madhështor mbi ta, që konsiderohet si tavani i parasjës, është i gabuar, është i kundërt. Ky është një imazh pasqyrë."

Eksperti Justin Ferate ka punuar si guidë turistike i stacionit për tre dekada. Ai thotë se stacioni është projektuar për të shndërruar udhëtimin në kënaqësi.

"Nëse jeni një udhëtar, dhe po niseni drejt një aventure të madhe, ju do të ndiqni yjet, që të mund të gjeni ëndrrën tuaj. Do të gjeni gjithashtu se ku do të jetë treni që kërkoni, gjë që përbën një nga aspektet më të mira të projektimit të ndërtesës."
Zoti Ferate pëlqen të tregojë se si elementët janë vizatuar duke patur parasysh perceptimin dhe anatominë njerëzore.

"Arsyeja pse njerëzit nuk përplasen me njëri-tjetrin në Stacionin Qendror është e thjeshtë: çdo pllakë guri këtu ka gjatësinë e këmbës tuaj. Çdo pllakë guri këtu ka gjatësinë e krahut tuaj. Pllakat e gurit këtu kanë ngjyra të ndryshme, gjë që shërben për të orientuar."

Një betejë dhjetë-vjeçare kundër planeve për të ndërtuar një ndërtesë të lartë zyrash mbi Stacionin Qendror, në vitin 1968, ndihmoi në krijimin e lëvizjes moderne për ruajtjen e tij. Tani, askush nuk do të diskutonte për plane që mund të prishnin bukurinë e terminalit.
XS
SM
MD
LG