Lidhje

Dy ikona të kinematografisë konkurojnë për Oskarin


Dy ikona të kinematografisë, Steven Spielberg dhe Ang Lee, po konkurojnë për çmimet e lakmuara të Oskarit këtë vit në kategoritë regjizori më i mire dhe filmi më i mirë. Filmi dramatik Lincoln i Spielbergut ka marrë 12 kandidatura për çmimet Oskar ndërsa Life of Pi i Ang Lee ka 11 kandidatura. Nuk është e qartë se cili, mes pesë kandidaturave për regjizorin më të mirë do të fitojë, por Spielberg dhe Lee kanë lënë gjurmët e tyre në kinemanë bashkëkohore amerikane.

Me Lincoln, Steven Spielberg ka krijuar jo vetëm një film të denjë për Oskar, por edhe një klasik të ri.

Spielberg ka qenë një forcë në Hollywood për gati katër dekada.

Suksesi i tij i parë i madh ishte Jaws, filmi rreth kërkimit të një peshkaqeni vrasës në brigjet e Long Island në Nju Jork. Filmi fitori tre çmime të akademisë dhe e bëri Spielbergun të cilësohet mjeshtër të këtij zhanri, një titull që e riafirmoi me filmin fantastiko-shkencor, Close encounters of the Third Kind.

Pak vite më vonë, Spielberg u kthye me E.T. the Extraterrestrial, historia prekëse e një djali i cili miqësohet me një jashtëtokësor të bllokuar në tokë. Ai u bë filmi që grumbulloi më shumë të ardhura në të gjitha kohërave.

Filma të tjerë të suksesshëm, si triologjia e Indiana Jones, pasuan.

Nga aventurat, Spielberg u kthye tek dramat historike.

Arritja që i dha një tjetër kurorë ishte filmi epik i vitit 1993, Schindler’s List, bazuar në historinë e Oskar Schindler, i cili vuri jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetët e më shumë se një mijë hebrenjve.

Filmi i dha Spielberg çmimin e parë të Oskarit për regjizorin më të mire dhe filmin më të mirë.

Saving Private Ryan, Spielberg përqëndrohet përsëri në Luftën e Dytë Botërore dhe fitoi një tjetër çmim të Akademisë për regjizorin më të mirë.

Tani, 15 vjet më vonë me Lincoln, Spielbergu është një forcë e vazhdueshme në kinematografi, duke skalitur histori për miliona adhurues të filmit.

Filmi kandidat për Oskar i Ang Lee Life of Pi, rreth një djali indian që mbetet në mëshirën e një tigri, është një mjeshtëri vizuale. Kinematografia e krijuar nga Lee dhe efektet e veçanta e bëjnë detin dhe tigrin kinetic, karaktere dytësor.

Për Ang Lee, suksesi erdhi me vonesë në jetë.

Ai u vlerësua nga kritika në vitin 1995 për filmin, Sense and Sensibility.

Qysh atëherë, ai është bërë i famshëm për trajtimin me nuance të historive nga kultura të ndryshme.

Në vitin 1997, ai realizoi The Ice Storm , film rreth një familje të shkatërruar në rrethinat e Nju Jorkut.

Në vitin 1999, filmi i tij Crouching Tiger Hidden Dragon, rreth artit marcial kinez, fitoi Oskarin në kategorinë e filmit më të mirë të huaj.

Por momenti kulmor në karrierën e tij erdhi në vitin 2005 me Brokeback Mountain, filmi rreth dashurisë së ndaluar mes dy kaubojsave në Perëndimin Amerikan. Historia prekëse dhe me ndjenjë e Lee e vë romancën e homoseksualëve përpara audiecës. Filmi ishte pretendent në kategorinë e filmit më të mirë por nuk arriti të fitojë, pikërisht për subjektin që trajtonte. Megjithatë Ang Lee mori Oskarin si regjizori më i mirë.

Këtë vit me Life of Pi, Lee përqëndrohet në një familje indidane dhe në universalitetin e besimit si një burim force dhe kurajoje.

Ang Lee dhe Steven Spielberg ndjekin njëri tjetrin si regjizorët më mjeshtër të brezit të tyre.
XS
SM
MD
LG