Lidhje

Apartamentet e vogla, tërheqin njujorkezët


Numri i të pamartuarve dhe çifteve pa fëmijë po rritet në qytetet e mëdha. Një muze në Nju Jork ka krijuar një apartament të vogël për ta vënë theksin tek nevoja për hapësira më të vogla jetese.

Nju Jorku është i njohur për numrin e madh të banorëve që jetojnë në apartamente fare të vogla. Shumë prej tyre janë krenarë për këtë zgjedhje dhe madje e shohin me humor jetën e tyre në ambjente të ngushta. Tani mund të shohim se deri në ç’pikë mund të shkojnë njujorkezët në këtë drejtim.

Ndërsa popullsia dhe qeratë pritet të rriten, zyrtarët e planifikimit urban po u kërkojnë arkitektëve të gjejnë mënyra për ta bërë të tolerueshme dhe madje lkomode jetesën në hapësira nga 32.51 metra katrorë deri në 23.22 metra katrorë.

Sarah Watson e Këshillit për Strehimin dhe Planifikimin Urban shpjegon.

“Në një të tretën e shtëpive në Nju Jork jetojnë persona të pamartuar, që jetojnë vetëm”.

Bashkia ka si synim t’i bëjë këto modele pjesë të një kompleksi apartamentesh që do të ndërtohet në pjesën lindore të Manhatanit vitin e ardhshëm, që do të ketë kryesisht të ashtuquajtura njësi mikro.

Objektivi është që të ofrohen më shumë apartamente të vogla në qytet si alternativa të përballueshme për të rinjtë, ata që nuk kanë shumë të ardhura dhe çiftet që u janë rritur fëmijët, që gjithnjë e më shumë nuk e përballojnë dot tregun e shtrenjtë të banesave.

Muzeu i qytetit të Nju Jorkut ka hapur një ekspozitë ku shfaqet një garsonierë 30 metra katrorë me dizenjot më të fundit për hapësira të vogla. Aty përfshihet një kanape që bëhet krevat, një tavolinë portative dhe një televizor që mund të lëvizet duke zbuluar një banak për pije.

Kuratori i muzeut Donald Albrecht thekson se apartamentet e vogla mund të mos jenë tërheqës për të gjithë.
“Ne nuk po themi që kështu duhet të jenë të gjithë. Po themi që është një alternativë për ata që jetojnë vetëm, apo për çifte që vijnë në Nju Jork dhe e kanë vështirë të gjejnë strehim”.

Ky model, përfshin një banjë të vogël, një frigorifer që e ka pjesën e akullit nën një raft kuzhine dhe një larëse enësh që vështirë se e gjen kudo në Nju Jork.

Në pjesën perëndimore të Nju Jorkut, drejtorit të financave të një shkolle Jack Sproule, nuk i duhet të shpenzojë shumë kohë për të të treguar apartamentin e tij ku jeton me gruan. Është 26 metra katrorë, me paisje të vogla dhe me një banjë të vogël ku siç thotë ai me shaka është i vetmi vend ku mund të futesh, pas një zënke në familje, gjë që siç thotë ai nuk ndodh shpesh.

Sproule thotë se pasqyrat ndihmojnë për të krijuar iluzionin e hapësirës.

Sam Neuman, jeton në një apartament të vogël që ngqa viti 2005.
“Organizohesh më mirë. Duhet t’i heqësh veshjet që nuk të bëjnë menjëherë dhe në përgjithësi të mendosh vetëm për çka ke nevojë”.

Apartamentet e vogla janë një sakrificë në këmbim të jetesës në një qytet të mrekullueshëm.

Çmimet mesatare të qerasë në qytetin me 8.2 milionë banorë dhe që pritet të ketë edhe 600 mijë të tjerë deri në vitin 2030, janë 2000 mijë dollarë për një garsonierë dhe 2 mijë e 700 për një dhomë e një kuzhinë.

Nëse programi pilot është i suksesshëm, Nju Jorku mund ta shfuqizonte një rregull të vitit 1987 sipas së cilit të gjitha apartamentet duhet të jenë të paktën 37 metra katrorë. Disa qytete e kanë përqafuar këtë koncept, si përshembull San Francisco në Shtetet e Bashkuara. Tokyo dhe Hong Kongu prej kohësh kanë pasur apartamente të vogla.
XS
SM
MD
LG