Lidhje

Takim i nivelit të lartë, Pakistan-Afganistan në Londër


Kryeministri britanik David Cameron po zhvillon bisedime me presidentin afgan Hamid Karzai dhe atë pakistanez Asif Ali Zardari sot në Londër.

Ky është takimi i tretë mes tre udhëheqësve që kur ata filluan një seri takimesh të nivelit të lartë korrikun e kaluar në Kabul, pasuar nga një tjetër në Nju Jork në shtator. Por takimi i nivelit të lartë në Londër është i pari që përfshin zyrtarë të lartë ushtarak dhe të zbulimit nga Afganistani dhe Pakistani.

Britania kërkon që të dy vendet fqinje të punojnë së bashku për të nxitur stabilitetin rajonal ndërsa përgatitet për të tërhequr mijëra trupa nga Afganistani deri në fund të vitit të ardhshëm. Trupat britanike kanë luftuar për më shumë se një vit kryengritësit taleban si pjesë e misionit të Natos që synon të ndihmojë forcat afgane të sigurisë të marrin kontrollin në vend.

Presidenti afgan Karzai i tha medias britanike dje se siguria në provincën Helmand në jug të Afganistanit ishte më mirë para se aty të mbërrinin trupat britanike në vitin 2006, dhe vuri në pikëpyetje në se forcat ndrëkombëtare po luftojnë në vende të gabuara. Ai tha se afganët kërkojnë të rindërtojnë vendin e tyre dhe nuk janë të shqetësuar në se vendet perëndimore e konsiderojnë misionin e tyre të suksesshëm apo dështim.
XS
SM
MD
LG