Lidhje

Spanjë, Partia në pushtet nën akuza për korrupsion


Spain

Spain

Spanja ka rreth 5 milionë të papunë, 8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa kryeministri spanjoll përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen si pasojë e akzuave për korrupsion, shifrat e reja të papunësisë janë rritur ndjeshëm në muajin janar duke arritur nivelet më të larta ndonjëherë. Gazeta londineze Financial Times ka theksuar se skandali politik ka shpërthyer në momentin më të keq për Spanjën.

Partido Popular, partia në pushtet në Spanjë, tashmë ka kaluar krejtësisht në mbrojtje, pas akuzave se ka mbajtur të fshehtë llogaritë për dhuruesit financiarë, shumë prej të cilëve janë firma ndërtimi, që kanë patur lidhje me zyrtarë të lartë.

Zëvendës sekretari i partisë, Gonzalez Pons, i tha publikut spanjoll përmes televizionit se publikimi i llogarive me shkrim dore nga e përditshmja El Pais, të cilat ngrenë dyshime se ka një sistem paralel për regjistrimin e parave nga donatorët, nuk është i besueshëm. Akuzat për korrupsin ndaj Partisë Popullore shpërthyen disa vite më parë, por më së shumti u etiketuan me këto akuza politikanë të niveleve lokale.

Dokumenti i paraqitur nga gazeta El Pais, i cili përfshin periudhën mes viteve 1990 deri në vitin 2009, tregon se përpara se të bëhej kryeministër, Mariano Rajoy merrte 34 mijë dollarë në vit, për rreth 1 dekadë.

Ish sekretari i thesarit në Partinë Popullore, Luis Barcenas, i cili është nën hetim që në vitin 2009, i tha televizionit Antena 3 se e gjitha kjo është një skemë e kotë.

Nuk ka libra sekretë për mbajtjen e llogarive , tha ai. Mbas një takimi me partinë për të diskutuar krizën e korrupsionit gjatë fundjavës, kryeministri Mariano Rajoy hodhi poshtë përpara gazetarëve që të ketë përfituar përmes gjobave financiare dhe premtoi se do të publikonte deklarimet e taksave në Internet. Por, si partia e vogël Bashkimi i së Majtës edhe partia e Punonjësve Socialistë Spanjollë, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Udhëheqësi socialist Alfredo Perez Rubalcaba thotë se Rajoi është politikan i djegur. Në një editorial në gazetën londineze Financial Times, thuhet se kryeministri “po përballet me luftën për jetën e tij”, me një skandal që ka shpërthyer në kohën më të keqe për të.

Papunësia u rrit me 2.7% në muajin janar krahasuar me dhjetorin. Tani ka rreth 5 milion spanjollë të papunë, 8% më shumë se e njëjta periudhë vitin e kaluar.

Ndonëse masat e ashpra të vendosura vitin e kaluar e kanë kënaqur disi tregun, mbështetja publike për qeverinë ka rënë ndjeshëm. Përveç përpjekjes për të nxjerrë Spanjën nga kriza më e rëndë ekonomike e historisë së saj demokratike, qeveria tani duhet të menaxhojë edhe krizën e besimit.

Kryeministri Mariano Rajoi nuk mundi t’i shpëtonte pyetjeve për këtë çështje në Berlin. Gjatë takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministri përsëriti me forcë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe se ai mbetet i angazhuar si përherë për ta çuar Spanjën drejt mëkëmbjes ekonomike.

XS
SM
MD
LG