Lidhje

Sfida të reja për ekipin e Presidentit për sigurinë


Kerry Begins Work as Secretary of State
Kerry Begins Work as Secretary of State
Presidenti Barak Obama e filloi mandatin e dytë me sfida të reja jashtë vendit. Në vazhdim ju njohim me disa nga përparësitë që i presin Sekretarin e ri të Shtetit si dhe Sekretarin e Mbrojtjes dhe Drejtorin amerikan të CIA-s, pasi të konfirmohen kandidaturat e tyre:

Kur emëroi Senatorin Chuck Hagel për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Presidenti Obama pohoi se ekipi tij do të përballet me një botë që ka ndryshuar.

“Mbyllja e luftës në Afganistan dhe kujdesi për ata që e zhvilluan këtë luftë, përgatitja për kërcënime të reja, konvencionale dhe jokonvencionale, përfshirë sfidat që paraqet siguria kibernetike”.
Në seancën për konfirmimin e kandidaturës në Senat, zoti Hagel tha se nëse arrihet konfirmimi, ai do të ballafaqohej me sfida të reja që shoqërojnë kthimin e trupave nga Afganistani:

“Kjo nuk do të thotë se kërcënimet që hasim dhe do të vazhdojmë të hasim janë më pak të rrezikshme apo të ndërlikuara. Në fakt, është krejt e kundërta. Zhvillimet e fundit në Mali dhe Algjeri na kujtojnë se ky është realiteti”.

Ish-Senatori republikan Richard Lugar thotë se përparësitë e reja duhet të përballohen me një buxhet të reduktuar për mbrojtjen dhe në kushtet kur Pentagoni është i stresuar:

“Kur analizojmë ndryshimet që duhet të bëjmë, ndërkohë që ende nuk ka përfunduar lufta në Afganistan, kuptojmë se kemi përgjegjësi të mëdha në të gjithë botën, në ato pika ku kemi trupa”.

Ndërkohë që administrata po largohet nga taktika e luftës tokësore, operacionet e CIA-s…

… përfshirë misionet me avionë të telekomanduar dhe eliminimi i elementëve të rrezikshëm, mund të marrin përparësi.

“Kjo është një strategji me kosto shumë më të ulët, nëse realizohet si duhet, krahasuar me dërgimin e batalionëve dhe njësive të prapavijës. Por kjo strategji kërkon burime të jashtëzakonshme të kundër-zbulimit”.

Një memorandum i sapo-publikuar i Departamentit të Drejtësisë thekson se është e ligjshme që qeveria të eliminojë shtetas amerikanë jashtë vendit, nëse besohet se ata janë drejtues të lartë të al-Kaidës, që përpiqen të vrasin amerikanë.

Kandidati i Presidentit Obama për Drejtor i CIA-s, John Brennan ka thënë se vrasjet e terroristëve janë të përligjura, etike dhe të nevojshme.

Në këtë ekip, ish-Senatori John Kerry përfaqëson diplomacinë. Ai është konfirmuar si Sekretar i Shtetit.

Pengimi i përpjekjeve iraniane dhe koreano-veriore për të siguruar armë bërthamore do të jetë detyrë urgjente. Zoti Kerry i tha Senatit se do të bëjë ç’është e nevojshme për të mos i lejuar Iranit të shtjerë në dorë armët bërthamore:

“E përsëris sot këtu: Politika jonë nuk është ta izolojmë Iranin, ne synojmë parandalimin. Iranit nuk i mbetet shumë kohë që të dëshmojë se po respekton detyrimet ndërkombëtare”.

Gjatë ditës së parë në Departamentin e Shtetit, zoti Kerry u telefonoi udhëheqësve izraelitë dhe palestinezë dhe u zotua të vazhdonte përpjekjet për paqe.
XS
SM
MD
LG