Lidhje

Rreziqet e piraterisë në internet

  • Carolyn Presutti

Tri gazeta të mëdha amerikane, New York Times, Wall Street Journal dhe Washington Post, thonë se piratët kinezë të internetit kanë hyrë në kompjurat e kompanive të tyre për të zbuluar informacione që lidhen me mbulimin e Kinës nga këto gazeta. Disa ekspertë thonë se ky problem vazhdon prej më shumë se pesë vjetësh. Këto sulme në internet janë të ndryshme nga pirateria e zakonshme kibernetike, për shkak të rreziqeve që paraqesin për individët.

Galeria në muzeun e medias në Uashington,Newseum, flet për lidhjet mes teknologjisë dhe lajmit.

Por përhapja e mediave të reja mund t'u krijojë kushte të favorshme piratëve të internetit që kërkojnë të dinë se çfarë mbulojnë gazetarët dhe kush ua jep atyre informacionin.

Nuk bëhet fjalë vetëm për gazetat. Ekspertët mendojnë se të gjitha mediat janë sulmuar nga piratët, por ose nuk e dinë ose nuk e thonë. Piratët sulmojnë edhe Zërin e Amerikës.

Shërbimi tibetian i Zërit të Amerikës ka 4 emisione televizive në javë dhe pesë emisione radioje në ditë. Shefi i Shërbimit, Losang Gyatso thotë se ata ndeshen me piratët çdo ditë.

"Ne kurrë nuk i mbajmë në kompjuter kontaktet dhe burimet tona. Jemi shumë të kujdesshëm. Në kompjutera kemi të instaluar filtra të ndryshëm."

Zoti Gyatso thotë se ashtu si edhe në rastin e gazetave amerikane, kjo pirateri vjen nga Kina.

Alan Paller ka trajnuar 145,000 ekspertë të sigurisë në internet në shumë vende të botës. Sipas tij, në këtë lloj spiunazhi janë përfshirë më tepër se 100 shtete.

"Kina bën më shumë zhurmë, domethënë teknikat e tyre zbulohen më lehtë, ata kapen më shpesh. Por edhe rusët janë po aq aktivë dhe shumë më të fshehtë."

Paller thotë se masat mbrojtëse, si programet kundër viruseve, nuk mjaftojnë.

"Megjithëse mund të ngresh mure të lartë, ata ndërtojnë shkallë të gjata, pra duhet t'ua kalosh atyre. Kjo nuk bëhet me mjete por me aftësi profesionale dhe tani për tani mediat nuk i kanë kushtuar rëndësi këtyre lloj aftësive. Ata mendojnë se mund ta luftojnë këtë pasi të ketë ndodhur."

Në Newseum ka një përmendore kushtuar gazetarëve të rënë në detyrë. Shumë prej tyre janë vrarë nga njerëz që kanë qenë kundër informacionit që ata jepnin. Patty Rhule, e cila bën pjesë në komisionin që shqyrton emrat e këtyre gazetarëve, thotë se nuk dihet se ku mund të çojë pirateria në internet.

"Nëse ata janë në gjendje t'i bëjnë këto gjëra fshehurazi, atëhere nuk dihet kurrë se kush po e gjurmon gazetarin nga pas."

Ekspertët thonë se zgjidhja është ta bësh kompjuterin aq të padepërtueshëm saqë pirati të mos hyjë dot por të shkojë te një viktimë më e lehtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG