Lidhje

Debatet mbi reformën e imigracionit


Reforma e imigracionit pritet të jetë një nga temat kryesore të fjalimit vjetor të Presidenti Obama para Kongresit. Por diskutimet mbi këtë çështje kanë filluar tashmë të zënë vend qendror në debatet politike në vend.

Ka rreth 11 milionë imigrantë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara dhe shumë të tjerë shpresojnë të kalojnë kufirin.

Claudia Hernandez erdhi këtu kur ishte fëmijë, dhe si shumë persona të tjerë në situatën e saj, ajo thotë se është pjesë e këtij vendi.

"Kam jetuar këtu më shumë se gjysmën e jetës sime, dhe unë i respektoj Shtetet e Bashkuara. Ky është vendi im."

Vetëm pak ditë pas fillimit të mandatit të tij të dytë, Presidenti Obama bëri thirrje për ndryshim.

"Ka ardhur koha për reforma të arsyeshme e gjithëpërfshirëse të imigracionit. Koha e duhur tani është."

Tashmë, Kongresi ka filluar të mbajë seanca dëgjimore.
Gjithashtu, një grup i përbërë nga senatorë të të dyja partive, duke përfshirë ish kandidatin republikan për President John McCain, paraqiti një plan të vetin.

"Për një kohë tepër të gjatë, kemi lejuar që individë që kujdesen për kopshtin tonë, që na shërbejnë ushqim, që pastrojnë shtëpitë tona dhe që kujdesen për fëmijët tanë, të kryenin këto punë duke mos marrë asnjë prej përfitimeve sociale që e bëjnë vendin tonë të veçantë."

Plani i grupit dypartiak të Senatit bën thirrje për kontrolle kufitare të rrepta, si dhe për mundësi të marrjes së shtetësisë, diçka për të cilën këmbëngul edhe Presidenti Obama.

Jim Gilchrist nuk është dakord me këtë ide. Ai themeloi grupin Minuteman Project, i përbërë nga qytetarë që ndihojnë në ruajtjen e kufirit.

"Nëse ne do të ofrojmë amnisti për 15 deri në 30 milionë njerëzit që ndodhen këtu ilegalisht, do të thotë se po ofrojmë amnisti për 300 milionë vetë, që do të ndjekin shembullin e tyre gjatë dekadave të ardhshme."

Aktivistë dhe ligjvënës të tjerë thonë se propozime për sigurinë në kufij nuk janë të mjaftueshme - edhe pse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë të ardhura për zbatimin e ligjeve të emigracionit sesa për zbatimin e të gjitha ligjeve të tjera federale të marra së bashku.

Ndërkohë, pritshmëritë janë të larta si për Presidentin Obama ashtu edhe për Kongresin.

Janet Murguia është kryetare e shoqatës La Raza, grupi më i madh për të drejtat civile të hispanikëve në SHBA.

"E vërteta është se votuesit hispanikë dhe amerikano-latinë shkuan për të votuar në ditën e zgjedhjeve me ekonominë në mendje, por me reformën e imigracionit në zemër."
Duke e konsideruar fjalimin para Kongresit të Presidentit si një platformë, aktivistët e të dyja qëndrimeve mbi çështjen shpresojnë që të realizohet diçka konkrete, ndërkohë që mbeten të vetëdijshëm që shpresa të tilla u janë shuar më parë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG