Lidhje

Ç'ndodhi me dinosaurët

  • Astrit Lulushi

crater

crater

Kometat apo asteroidët, nëse nuk ishIn tërësisht përgjegjës për zhdukjen, të paktën u dhanë dinosaurëve goditjen përfundimtare.

Shkaku i zhdukjes së dinosaurëve vazhdon të jetë mister. Në qarqe shkencore ka vite që shtrohen të njëjtat pyetje: Ishte kometë apo asteroid? Ishin shpërthimet vullkanike apo ndryshimi dramatik i klimës që solli zhdukjen e tyre? Fakti është se këto pyetje përmbajnë edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me procesin e evoluimit të jetës në Tokë.

Kështu, në përpjekje për të gjetur se ç’ndodhi me dinosaurët, shkencëtarët në Qendrën Berkeley për Geochronology (BGC), në Universitetin e Kalifornisë, dhe universitetet në Holandë e Britani, pas njjë studimi të gjatë, thonë se kanë përcaktuar data më të sakta se kur ndodhi zhdukja e dinosaurve dhe kur ndodhi ndikimi klimatik global. Sipas tyre të dyja datat janë shumë afër njëra-tjetrës, ose këto dy zhvillime mund të kenë ndodhur njëkohësisht.

Shkencëtarët dijnë se ndryshimi i thellë klimatik ishte goditja e fundit që e shtyu jetën në Tokë në një pikë kthese ku shumë qenie të gjalla devijuan nga lloji i tyre duke hyrë në rrugë të tjera evoluimi (përfshi këtu edhe primatët, paraardhësit më të herëshëm të atyre që më pas do të evoluonin në njerëz).

Nga të dhënat e fosileve të dinosaurëve me bazë në tokë dhe krijesave të oqeanit, shkencëtarët thonë se zhdukja e dinosaurve ndodhi – 66 milionë vjet më parë – duke e bërë këtë ngjarje të njëkohshme me ndikimin klimatik.

Studiuesit thonë se tani besojnë se kometat apo asteroidët, nëse nuk ishin tërësisht përgjegjës për zhdukjen, të paktën u dhanë dinosaurëve goditjen përfundimtare.

Rezultatet e studimit u botuan në numrin e shkurtit të revistës Science.

Teoria që lidh zhdukjen e dinosaurve me shpërthimin e meteorëve dhe ndikimin klimatik në Tokë doli si hipotezë në vitin 1980 nga nobelisti Luis Alvarez dhe djali i tij, Walter, profesor i tokës dhe shkencës planetare në universitetin e Kalifornisë në Berkeley. Ata studiuan një krater 170 kilometra të gjerë në Caribbean pranë bregut Yukatan të Meksikës. Krateri mendohet të jetë hapur nga një komete ose asteroid 10 kilometra i gjatë.

Shkencëtarët thonë se mbeturinat që u përhapën në atmosferë nga kjo përplasje, mund të gjenden ende rreth e rrotull globit në formë pluhuri ose grimcash kristali, kuarci e substancash të tjera. Kjo i shtynë ata të mendojnë se goditjet e meteorëve ose sollën ndikimin klimatik ose ndodhën njëkohësisht, por asnjë prej tyre nuk përbën shkakun e vetëm të zhdukjes së dinosaurve.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet e thella klimatike gjatë miliona viteve të mëparshme, duke përfshirë edhe të ftohtin, i shtynë shumë krijesa në prag të zhdukjes ose të ndryshonin rrjedhën e evoluimit, dhe se shkak i ndryshueshmërisë së klimës mund të ketë qenë edhe një seri e vazhdueshme shpërthimesh vullkanike.
XS
SM
MD
LG