Lidhje

Koreja e Veriut kryen provë të re bërthamore


Koreja e Veriut kreu një provë të tretë bërthamore në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Këtë herë, rreziku për Penianin është më i madh se sa me provat e viteve 2006 dhe 2009. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se provat bërthamore të Koresë së Veriut rrisin mundësinë për konflikt.

Programi bërthamor i Koresë së Veriut nuk është ndërprerë, megjithë sanksionet ndërkombëtare që vazhdojnë prej vitesh.

Sekretari i Shtetit i sapo konfirmuar në këtë post, John Kerry, tha se provat bërthamore të Koresë së Veriut rrisin mundësinë për konflikt.

"Populli i Koresë së Veriut po vuan nga uria. Ata kanë nevojë të ngutshme për më shumë hapje dhe për t'u lidhur me botën, në vend të gulagëve, ndër më famëkeqët në botë, ku njerëzit torturohen dhe bëjnë punë të detyruar.''

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland tha se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen që rezoluta e muajit të kaluar e Këshillit të Sigurimit e cila zgjeron sanksionet kundër Phenianit për programin e tij të armëve bërthamore, të vihet në zbatim.

"Ne mund të sigurojmë se kjo nuk është thjesht një copë letër, se këto sanksione do të zbatohen nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare."

Por profesorja e Universitetit Georgetown, Balbina Hwang, thotë se këto lloj mënyrash nuk ndikojnë tek udhëheqësit e Koresë së Veriut.

"Kjo funksionon vetëm në qoftë se regjimi e sheh integrimin në bashkësinë ndërkombëtare si një qëllim pozitiv. Problemi është Koreja e Veriut nuk ka dashur kurrë të bëhet pjesë e komunitetit ndërkombëtar."

Zonja Hwang thotë se Korea e Veriut madje nuk trembet as nga gjobat me të cilat e kërcënon Kina, burimi i saj kryesor i ushqimit dhe karburantit.

Në një kohë pakënaqësish dhe ngadalësimit ekonomik brenda Kinës, Pekini e sheh provën bërthamore si faktor destabilizues, thotë profesori Jin Canrong i Universitetit Renmin të Kinës.

"Udhëheqja kineze ka shumë probleme, ata nuk duan të kenë probleme edhe jashtë vendit."

Ekspertët thonë se prova e Koresë së Veriut do ta bëjë më të vështirë për të ndalur programin bërthamor të Iranit, sepse dy vendet shkëmbejnë teknologji bërthamore me njëri-tjetrin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG