Lidhje

Dorëheqja e Papës mund të jetë pikë kthese

  • Al Pesin

Test - Pope Analysis

Test - Pope Analysis

Dorëheqja e Papa Benediktit shënon një pikë kthese për Kishën Katolike me 1.2 miliardë anëtarë. Por korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin njofton nga Roma se nëse historia është udhërrëfyes, kthesa do të jetë graduale.

Qindra besimtarë qëndruan me respekt para një ekrani të madh televiziv në Sheshin e Shën Pjetrit një mbrëmje të akullt, për të qenë të pranishëm ndërsa Papa Benedikt drejtonte meshën e tij të fundit, për të shënuar të mërkurën e zezë.

Papa falenderoi të gjithë ata që e kishin ndihmuar gjatë tetë vjetëve dhe u kërkoi të luteshin për të.

Dorëheqja e Atit të Shenjtë 85 vjeçar u hap rrugën udhëheqësve të kishës që të ndërmarrin hapa drejt reformave që kërkojnë shumë nga besimtarët, për çështje si skandali i pedofilisë, planifikimi i lindjeve, toleranca për homoseksualët dhe roli i grave. Me këto çështje do të duhet të merret pasuesi i tij që do të dalë nga radhët e dhjetra kardinalëve që morën pjesë në meshën e së mërkurës.

Por gazetari me përvojë i Radio Vatikanit, Sean-Patrick Lovett paralajmëron se nuk do të ketë ndryshime dramatike.

“Kisha Katolike nuk ka prirje për ndryshim, nuk është demokraci, anon nga vazhdimësia dhe doktrina nuk ka shumë gjasa të ndryshojë, pavarësisht se kush bëhet papë”.

Një përparësi për këdo që bëhet Papë do të jetë skandali për abuzmin seksual nga priftërinjtë. Por Lovett thotë se ndjesa zyrtare e Papa Benediktit dhe udhëzimet e reja, janë maksimumi që mund të arrihet.

“Jam i sigurt që papa i ardhshëm do të vazhdojë të takohet me viktimat, të sigurohet që këto politika të zbatohen dhe që asnjë nga këto gjëra të mos përsëritet”.

Megjithatë, disa mendojnë se papa i ri do të duhet të bëjë më shumë. Mes tyre është edhe korrespondenti i Vatikanit Alessandro Speciale i Shërbimit të Lajmeve Fetare.

“Atij do t’i duhet të përballet me krizën e abuzimit seksual dhe do t’i duhet të veprojë me forcë, para se të shpërthejë kriza”.

Speciale thotë se parandalimi i abuzimeve të tjera është veçanërisht i rëndësishëm për zonat kryesore ku po rritet katolicizmi, Afrika dhe Amerika Latine. Disa vëzhgues besojnë se papa i ardhshëm mund të jetë nga këto rajone, por Speciale thotë se edhe nëse kjo ndodh, nuk do të ketë ndryshime të mëdha politikash.

“Vlera simbolike e një pape nga Afrika, do të ishte e paimagjinueshme, por ndryshimi do të varej nga fakti se cili do të jetë Papa”.

Turistët që ndodheshin në Vatikan, në ditët e dorëheqjes së parë të një pape që prej 600 vjetësh, nuk prisnin ndonjë ndryshim të madh në qëndrim, por ishin të hapur për idenë e një Pape nga hemisfera jugore.

“Nuk ka rëndësi nga je. Rëndësi ka besimi dhe përkushtimi”.

“Mendoj se do t’u hapë sytë njerëzve, veçanërisht në perëndim, në botën e zhvilluar për atë që po ndodh në vendet e Botës së Tretë”.

Është një moment i rrallë për katolikët, që të mund t’i thonë lamtumirë një pape dhe të hedhin sytë nga e ardhmja, pa trishtimin e vdekjes së tij. Po ashtu do të jetë gjë e rrallë për papën e ri, që të ndjejë kaq me forcë praninë e paraardhësit të tij.

XS
SM
MD
LG