Lidhje

Ushtrime të reja të fizkulturës


A keni ëndërruar ndonjëherë të bëheni yll i rokut? Një stërvitje e re do të bëjë që të ndjeheni si baterist në një grup muzikor, dhe do t'ju japë muskujt që ju pëlqejnë. Në palestrat e Hollivudit, klasat me emrin Pound të bëjnë të lëvizësh me një ritëm të ri.

Kjo stërvitje e re ka filluar në Hollivud dhe tani klasat e quajtura Pound apo Goditje kanë përfshirë mbarë Kaliforninë.

Teknika e kësaj stërvitje përfshin shkopinjt e xhezit dhe kërcimin me muzikën rock.

Pound kanalizon aftësitë ndoshta të panjohura të bateristit tek secili dhe i bën pjesëmarrësit e entuziazmuar të mos mungojnë asnjëherë në stërvitje.

Shkopinjtë plastikë e transformojnë këtë stërvitje në një gjimnastikë me intensitet të lartë për shkrirjen e dhjamit dhe mobilizojnë të gjithë muskujt e trupit.

Lëvizjet nuk ndalin që nga çasti kur fillon mësimi. Muzika është në kupë të qiellit dhe instruktori as që dëgjohet dot kur flet me mikrofon. Ritmi i bën pjesëmarrësit të fokusohen për të ndjekur muzikën ndërsa bëjnë stërvitje.

Aktorja 30 vjeçare Katie Walter, nga Hollivudi Perëndimor, është një pjesëmarrëse e devotshme.

"Është e bukur mënyra sesi e kanë krijuar këtë stërvitje. Nuk e quajnë kot klasën që të shkund. E ndjen veten vërtet një yll roku me shkopinjtë e xhezit dhe në se muskujt të lodhen i bie shkopinjve edhe më fort".

Jack McAlpin, 26 vjeçar, konsulent menaxhimi thotë se përqëndrimi tek lëvizja e shkopinjve ndihmon më shumë sesa ç’duket.

"Pesha e shkopinjve faktikisht krijon një balancë me peshën e trupit dhe kështu i gjithë trupi punon vetëm nga ky kompensim i vogël i peshës pasi je gjithë kohën duke bërë punën e bateristit”.

Bashkë-themeluese të kësaj teknike janë Cristina Peerenboom dhe Kirsten Potenza.

Atyre u lindi ideja ndërsa merrnin pjesë në një mbrëmje në Hollivud ku luante një ish baterist i grupit Guns N' Roses.

Të dyja vajzat ishin bateriste në shkollë të mesme dhe shpejt kuptuan se stërvitja bëhej më intensive duke ndërthurur lëvizjet me shkopinjtë e xhezit.

"Pound është një klasë prej 45 minutash. Ajo kombinon sërvitjen kardio me forcimin e muskujve duke ndërthurur teknika të tjera. Ne përdorim shkopinjtë e xhezit për ta bërë edhe më intensive stërvitjen"

, thotë Potenza.

Ato shtuan peshë tek shkopinjtë për të krijuar muskuj.

"Fakti që ne jemi bateriste na bëri të shikonim vështirësinë e kësaj rutine. Shtuam peshë tek shkopinjtë dhe bëjmë rreth 20 mijë lëvizje të krahëve për çdo klasë por në vend që të numërojmë lëvizjet, thjesht ndjekim ritmin e muzikës gjatë gjithë kohës".

Përfitimet shëndetësore që sjell kjo metodë, vlerësohen nga mjekët.

Kardiologu John M. Kennedy, shpjegon:

"Pound është stërvitje shumë e mirë. Është një rutinë e re që kombinon lëvizjet e bateristit me ushtrimet aerobike. Stërvitja është e rëndësishme pasi dimë se çdo stërvitje aerobie si kjo për 30 minuta, pesë here në javë, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve dhe goditjeve në zemër me 20 përqind”.

Klasat Pound zhvillohen tani kudo në Hollivudin Perëndimor, por krijueset e kësaj teknike shpresojnë që të publikojnë klasa në internet gjatë muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG