Lidhje

Engel, pesë vjet Kosovë e pavarur


Ligjvenësi amerikan Eliot Engel, zyrtari i dytë më i lartë i Komisionit të Dhomës së Përfaqësueve për Marrëdhëniet me Jashtë dhe mbështetës i çështjes shqiptare për një kohë mjaft të gjatë, thotë në një deklaratë me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës se ai vend dhe populli i tij "kanë shumë arsye përse të jetë krenar. Në vetëm pesë vjet si shtet i pavarur, Kosova është njohur nga gati 100 vende të botës, është anëtare e Bankës Botërore, FMN-së dhe BERZH-it. Sovraniteti i Kosovës është më i fuqishëm se kur më parë me përfundimin e “pavarësisë së mbikqyrur”, ndërsa marrëdhëniet ndër-etnike po bëjnë përparim të dukshëm dhe të qëndrueshëm. Banka Botërore afirmoi arritjet e Kosovës me raportin e fundit të rëndësishëm “Të Bërit Biznes 2012” ku thotë se asnjë vend tjetër nuk pati përmirësim aq të ndjeshëm sa Kosova" thekson në deklaratën e tij të përshëndetjes kongresmeni nga Nju Jorku.

"Ka qënë një nder dhe kënaqësi të qëndrosh përkrah popullit të Kosovës ndërsa ata kaluan nga tragjedia në triumf gjatë 20 vjetëve të fundit", vazhdon më tej deklarara, "por beteja nuk ka mbaruar. Kosova ende pengohet nga mungesa e vullnetit të disa vendeve për ta njohur kombin e ri, ndërsa vende të tjera ende e bllokojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të përparojë normalisht drejt një të ardhme euro-atlantike".

Kongresisti Engel vë në dukje përparimin e bërë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si një lajm të mirë. "Takimet mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç, si dhe ai mes presidentëve Jahjaga dhe Nikoliç", thotë më tej ai, "janë inkurajues për një rajon që ka aq nevojë për dhënien fund të konfliktit dhe për njerëzit që kërkojnë të jetojnë në paqe dhe begati. Angazhimi personal dhe udhëheqja e Sekretares së Shtetit Klinton dhe Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Kethrin Eshtën kanë qënë me shumë rëndësi në përparimin e arritur. Por ne nuk duhet të ndalemi këtu. Ka ardhur koha për të shkuar më tej marrëveshjeve të vogla, më pak të rëndësishme, drejt atyre që mund t’i japin fund konfliktit afatgjatë", thotë zoti Engel.

"Me Xhon Kerrin në postin e Sekretarit të Shtetit, është jetike që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë ta vendosin në listën e prioriteteve rajonin dhe të sigurojnë që dialogu nuk do të degradojë në bisedime thjesht për hatër të bisedimeve, pasi në Ballkan, ne e dimë nga përvoja se stanjacioni sjell zhgënjim dhe konflikt. Vazhdimi i përparimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë Ballkanit shoqërohet gjithmonë me vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në një nivel të lartë", theksoi zoti Engel.

"Së bashku me dialogun, përparimi i Kosovës drejt strukturave kryesore Euro-Atlantike, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duhet të jenë një prioritet për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë. Brukseli po punon me Prishtinën për ta çuar Kosovën drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe drejt liberalizimit të vizave që kosovarët të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në Evropë si qytetarët e vendeve të tjera ballkanike" thotë më tej anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, "por fatkeqësisht, përparimi ka ndalur dhe është ngadalësuar, dhe ndryshe nga fqinjët, çdo hap i vogël në përparimin e Kosovës me Brukselin mund të përballet me veton e një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa kjo e bën rrugën edhe më të vështirë, i bën arritjet e Kosovës edhe më të rëndësishme. Në fund të fundit, ne duhet të jemi të qartë se Kosova duhet të përfshihet në Evropë së bashku me fqinjët e saj, pasi në të kundërt do të krijonim një gropë të re të zezë në Ballkan ku shqetësimet më të këqija për krimin dhe korrupsionin mund të bëhen realitet".

"Rruga e Kosovës drejt NATO-s është e të njëjtës rëndësi", thekson kongresisti amerikan. "Së bashku me vendet e tjera në rajon, antarësimi i Kosovës në NATO do të çimentojë prespektivën e saj Perendimore ndërsa do të shtojë një tjetër vend të fuqishëm pro-amerikan në aleancë. Sigurisht, anëtarësimi në Nato kërkon që Kosova të zhvillojë një ushtri, dhe unë jam i kënaqur që ne mund të shohim hapat e parë në këtë drejtim më vonë këtë vit nëpërmjet planifikimit të një ushtrie profesionale dhe mbrojtëse. Si një republikë sovrane dhe e pavarur, Kosova ka çdo të drejtë të ndërtojë forcën e saj të armatosur dhe është një arritje e mirë për një vend që ka në plan të punojë nga afër me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë për kohën dhe organizimin e forcës së saj mbrojtëse. Ne nuk duhet të dëgjojmë shqetësimet iracionale të disave që shprehin dyshime të pabaza rreth një ushtrie të mundshme të Kosovës duke pasur parasysh garancinë se ajo do të jetë e vogël dhe me synimin mbrojtës. Pavarësisht, unë mezi pres ditën kur trupat e Kosovës do të qëndrojnë krah për krah me ushtarët amerikanë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar", thotë zoti Engel.

Ai vë gjithashtu në dukje edhe sfidat që duhet të zgjidhë vendi. "Papunësia është e lartë, korrupsioni vazhdon të jetë pengesë për ekonominë dhe marrëdhëniet ndër-etnike duhet të vazhdojnë të forcohen. Në të njëjtën kohë, marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe strukturat paralele në veri duhet ose të eliminohen plotësisht ose të bëhen pjesë transparente e një shteti Kosovar të unifikuar në mënyrë që pakicat, kudo që ndodhen, të trajtohen drejtësisht"

"Shtete e Bashkuara kanë qënë dhe do të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të nxisim zhvillimin e Kosovës, respektin për sovranitetin e saj dhe zgjerimin e numrit të vendeve që e njohin atë. Me miqësinë në rritje mes dy vendeve dhe popujve tanë, kam shpresë se pesë vjetët e ardhshme do të jenë edhe më të mira sesa këto pesë vjet të para të pavarësisë", përfundon deklarata e ligjvenësit amerikan Eliot Engel, numri dy i Komisionit të Dhomës së Përfaqësueve të Kongresit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG