Lidhje

68 vjetori i kryengritjes së Kelmendit

  • Pëllumb Sulo

Banorët e skajit më verior të Shqipërisë, Kelmendit, përkujtuan 68 vjetorin e Kryengritjes së parë Antikomuniste në Shqipëri, të njohur si Kryengritja e Kelmendit. Të mbledhur në qendër të Komunës së tyre, kelmendasit kujtuan si, 68 vite më parë, të afërmit e tyre u ngritën me armë në dorë për të mos lejuar që në malet e Kelmendit të hynin forcat komuniste, të cilat kërkonin të shtypnin me dhunë rezistencën antikomuniste të kelmendasve.

Duke folur në tubimin e mbajtur në qendër të Komunës së Kelmendit, kryetari i saj, Gjeto Çutaj tha se 68 vjetori i Kryengritjes së Kelmendit është edhe një moment reflektimi për qendresën antikomuniste të banorëve të kësaj krahine.

Përkujtimi, që ne i bëjmë sot luftës së Kelmendit kundër komunizmit, është një moment krenarie dhe lavdie për të gjithë ne, është një moment reflektimi dhe përkujtimi, por edhe falenderimi për të gjithë burrat kelmendas që, me në krye heroin tonë Prekë Cali, sakrifikuan jetën e tyre për lirinë, dinjitetin dhe krenarinë e Kelmendit. Nder përjetë Prekë Calit dhe të gjithë heronjve të tjerë kelmendas që kanë luftuar gjatë gjithë historisë tone, të lashtë dhe moderne, për të mos ju nënshtru askujt dhe që kanë bërë që sot ne të jemi krenarë për historinë tonë.

Ndërsa kryetari i Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, u shpreh se vlerësimi i Kryengritjes Antikomuniste të Kelmendit është korrigjim i shtrembërimeve të histroriografisë komuniste ndaj ngjarjeve të 68 viteve më parë.

68 vite më parë kelmendasit i vunë gjoksin njërës prej diktaturave më të egra që po instalohej në Shqipëri mbas Luftës së Dytë Botërore. Kjo i kushtoi shtrenjtë Kelmendit dhe Malësisë së Madhe. Mbi 80 pushkatime, njerëz të burgosur, qindra vite internimi dhe burgu, por ngjarje e kombëshme ishte shtrembërimi dhe përçudnimi i historisë.

Për historianin Ndue Bacaj, nga Malësia e Madhe, Kryengritja e Kelmendit pati një rëndësi te veçantë për faktin, se ajo u bë fillesë e ngjarjeve të tjera antikomuniste, që synonin rrezimin e diktaturës që po vendosej në Shqipëri.

Rezisitenca heroike e kelmendasve vijoi për më shumë se një muaj dhe në kujtesën e popullit njihet si Lufta e Kelmendit. Në këtë luftë mbrojtëse, Kelemendi u bë votra e shkëndisë dhe vazhdimësisë së Kryengritjes së parë Antikomuniste në Shqipëri dhe në të gjithë Europën.

Në tubimin në përkujtim të 68 vjetorit të Kryengritjes Antikomuniste të Kelmendit morri pjesë edhe deputeti i Malësisë së Madhe, Ramiz Çoba, i cili u bëri thirrje kelmendasve që të vazhdojnë të ruajnë të gjallë kujtimin dhe veprën e të parëve të tyre, si mesazh që e kaluara të mos përsëritet.

Gjaku i atyre, që na bashkoi sot këtu në Kelmend, na bën thirrje: Kurrë mos harroni, hapni sytë që historia të mos përsëritet kurrë më!

Gjatë 50 viteve të diktaturës, Kelmendi dhe kelmendasit u rrethuan me një gardh të hekurt, që synonte rrethimin e banorëve të kësaj zone. Por, shumë prej tyre arritën të thyejnë këtë gardh dhe të arratisen drejt Perëndimit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sot jeton e punon një numër i madh familjesh kelmendase.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG