Lidhje

Viti i kaluar, më vdekjeprurësi për gazetarët


journalist
journalist

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se në vitin 2012 në botë u vranë 70 gazetarë, 28 prej tyre në Siri

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se 2012 ishte një nga vitet më vdekjeprurëse për gazetarët, me 70 të vrarë. Organizata për të drejtat e njeriut thotë se arsyet për numrin e lartë të gazetarëve të vrarë janë konflikti në Siri dhe dhuna kundër gazetarëve në vendet si Somalia dhe Pakistani. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Margaret Besheer sjellë hollësi.

Në shqyrtimin vjetor të rreziqeve me të cilat përballen gazetarët, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se 70 gazetarë u vranë dhe 232 të tjerë u burgosën për punën e tyre. Robert Mahoney është zëvendës drejtor i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

“Nga Meksika në Siri, nga Rusia në Pakistan, gazetarët janë në ballë të dhunës dhe represionit si kurrë më parë”.

Ai tha se shumica e atyre që janë vënë në shënjestër janë gazetarë lokalë që raportojnë për të drejtat e njeriut, politikën, konfliktet, krimin apo korrupsionin.

Siria ishte vendi më vdekjeprurës për gazetarët, me 28 të vrarë në luftime, ose të vënë në shënjestër për vrasje nga qeveria apo forcat e opozitës. Vetëm katër prej tyre ishin shtetas sirianë që mbulonin konfliktin në vendin e tyre.

13 të tjerë të ashtu-quajtur “gazetarë qytetarë”, të cilët përdoren kamerat dhe telefonat e tyre celularë për të dokumentuar konfliktin në atë vend, gjithashtu humbën jetën.

Në Somali, arrestimi dhe dënimi i gazetarit Abdiaziz Abdinuur në muajin e kaluar ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Ai u dënua me një viti burg për fyerje të qeverisë gjatë intervistës me një grua e cila tha se ishte përdhunuar nga forcat qeveritare. Edhe gruaja e intervistuar u dënua me një vit burg.

Por përveç arrestimeve të gazetarëve, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se vitin e kaluar të paktën 12 gazetarë u vranë në Somali. Grupi militant al-Shabaab mori përgjegjësinë për vrasjen e katër prej tyre.
Zoti Mahoney vuri në dukje se në shumicën e rasteve askush nuk është ndjekur penalisht për vrasjen e një gazetari, qoftë në Somali apo diku tjetër, duke krijuar një atmosferë të mosndëshkimit.

“Ky është një sinjal i tmerrshëm për komunitetin e gazetarëve pasi në qoftë se një anëtar i komunitetit të tyre vritet askush nuk ndëshkohet për krimin”.

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se shtatë gazetarë janë vrarë në Pakistan, përfshirë Mukarram Khan Aatif-in, i cili punonte për Radio Deewa të shërbimit Pashtu te Zëri i Amerikës. Ai u qëllua për vdekje në një xhami në veri të Peshavarit. Talebanët morën përgjegjësinë për këtë sulm në janar të vitit 2012.

Në Amerikën Latine, gazetarët përballen me frikësime dhe me kërcënime serioze nga organizatat e krimit të organizuar dhe zyrtarët e korruptuar. Drejtori i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve për Amerikën Latine Carlos Lauria tha se katër gazetarë u vranë duke bërë punën e tyre gjatë vitit të kaluar në Brazil. Në Meksikë, situata është edhe më e rrezikshme.

“Situata në Meksikë është shumë e rëndë. Në gjashtë vitet e fundit, më shumë se 50 gazetarë janë vrarë ose zhdukur. Shumë gazetarë janë sulmuar brutalisht. Të tjerët janë detyruar të largohen. Por pasoja më shkatërrimtare e kësaj vale të dhunës është krijimi i një klime të frikës dhe frikësimit në të cilën gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre. Kjo situatë ka çuar në vendosjen e censurës”.

Raporti gjithashtu shpreh shqetësimin në lidhje me burgosjen e përhapur e gazetarëve sipas ligjeve të vjetruara dhe kufizuese të përdorura për të heshtur zërat anti-qeveritarë. Raporti citon Turqinë, Iranin, Vietnamin, Etiopinë dhe Sirinë si vende të cilat burgosin një numër të madh gazetarësh.

Lajmi më pozitiv nga ky raport vjen nga Iraku ku për herë të parë që nga viti 2003 nuk është vrarë asnjë gazetar në detyrë. Mes vitit 2003 dhe 2008, Iraku ishte një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët në botë, me një total prej 151 gazetarësh që kanë vdekur duke mbuluar konfliktin në atë vend.
XS
SM
MD
LG