Lidhje

ICG: Bisedimet Kosovë – Serbi janë në një pikë vendimtare


Grupi i Krizave u propozon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në diskutime thelbësore për çështjen e veriut të Kosovës

Grupi Ndërkombëtar i Krizave u bëri thirrje sot Kosovës dhe Serbisë që të shfrytëzojnë bisedimet aktuale për të gjetur një zgjidhje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe të hapin kësisoj rrugën për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Në një raport të lëshuar sot mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Grupi i Krizave u propozon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në diskutime thelbësore për këtë çështje.

Përfaqësuesi i këtij grupi në Prishtinë, Naim Rashiti i tha në një intervistë korrespondentit tonë Besim Abazi, se palët duhet të punojnë për transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetë-qeverisës, që i përshtatet rendit juridik të Kosovës.



Në raportin me titull “Serbia dhe Kosova: Rruga drejt normalizimit”, të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thuhet mes tjerash se të dyja vendet ende kanë mospajtime të mëdha. Prishtina, synon që të sigurojë pajtimin e serbëve për planin e Martti Ahtisarit, ndërsa, Beogradi synon rishikimin edhe të këtij plani.

Megjithatë, Grupi vlerëson se zhvillimet e fundit zgjojnë shpresa, meqë siç thuhet, rezultatet në periudhat e mëhershme të bisedimeve kanë shkrirë qasjen e të dyja palëve.

“Serbia së fundi kapërceu pragun, duke pranuar, të paktën në mënyrë implicite tërësinë tokësore dhe juridiksionin e Kosovës ndaj veriut, edhe pse e refuzon pavarësinë e saj. Të dy kryeqytetet duket se kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për zgjidhjen e konfliktit politik”, thuhet në raport.

Grupi e vlerëson si arritje të rëndësishme hapjen e vendkalimeve kufitare nën menaxhimin e përbashkët, meqë regjimi kufitar prek në pothuajse çdo aspekt të konfliktit mes Kosovës e Serbisë, që nga gjërat e thjeshta praktike e deri te ato thelbësore që kanë të bëjnë me statusin.

Megjithatë, thuhet në raport, palët ende duhet të përcaktojnë hollësitë, në veçanti në kontrollin doganor dhe policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it duhet t’u jepet liri e plotë lëvizjeje në veri.

Por, deri tash vendimet për marrëveshje janë bazuar në skicat e hartuara nga ekspertët dhe ka qenë e lehtë që udhëheqësit politikë të ruajnë pozicionet e tyre kundruall statusit të Kosovës. Mirëpo, Grupi thotë se kjo periudhë po përfundon.

Serbisë i është kërkuar që të merret me strukturat e sigurisë e të drejtësisë në veri të Kosovës në bashkëpunim me Kosovën, si kusht për të filluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kjo nënkupton që të bëhet përparim në gjetjen e zgjidhjes për menaxhimin e gjykatave lokale, policisë dhe komunave, thuhet në raport.

“Transformimi i strukturave veriore në trupa vet-qeverisëse që përshtaten me juridiksionin e Kosovës do të hapte rrugë për t’i ofruar veriut një organizim të posaçëm si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme. Shumë më tepër mund të arrihet duke e pranuar zbatimin fleksibil të planit Ahtsiaari sa i përket policisë, gjykatave dhe qeverisë rajonale”, thuhet në raport.

Por, Grupi tërheq vërejtjen se një nga parimet themelore duhet të jetë ajo e paprekshmërisë së kufijve të Kosovës, dhe që veriu të qeveriset sido që të dojë sa i përket shqetësimeve të komunitetit, por, duke mos e dëmtuar tërësinë tokësore të Kosovës.

“Bisedimet janë në një pikë vendimtare. Pozicionet e Beogradit dhe të Prishtinës mbi veriun e Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të afërta. Nëse mund të përfundojnë marrëveshjen për kufirin dhe të bëjnë përparim të vërtetë në bisedimet për institucionet qeverisëse dhe sundimin e ligjit në veri para takimit të Këshillit Evropian në qershor të këtij viti, Bashkimi Evropian është e gatshëm që t’i shpërblejë të dy vendet”, thuhet në raport.

“Por, nëse bisedimet dështojnë në muajt e ardhshëm, politikat e shteteve anëtare te Bashkimit Evropian do të diktojnë një pushim të gjatë, të cilit koalicionet e brishta në Beograd dhe Prishtinë mund të mos i mbijetojnë dhe dhuna e nivelit të ulët që është shënuar në rajon në fillim të vitit 2013 mund të përkeqësohet. Një mundësi e tillë kaq premtuese mund të mos vijë pastaj shpejt, apo mund të mos vijë fare”, shkruan Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
XS
SM
MD
LG