Lidhje

Apple pëson sulme kibernetike


apple
apple

Kompania Mandiant akuzon qeverinë kineze për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmet në internet

Apple është një tjetër korporatë e madhe amerikane që ka rënë viktimë e sulmeve kibernetike. Kompania e kompjuterave – e famshme për produktet si iPhone, iPad dhe iPod – tha se kompjuterat e disa punonjësve të saj ishin sulmuar, kur ata vizituan një faqe të infektuar interneti që përdoret nga zhvilluesit e programeve. Apple tha se nuk ka prova për vjedhje informacioni. Ky njoftim i kompanisë Apple erdhi në të njëjtën ditë që një grup për sigurinë në internet me bazë në SHBA akuzoi qeverinë kineze për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmet kibernetike kundër qeverisë, bizneseve dhe infrastrukturës amerikane.

Nga qendra e saj, pranë Uashingtonit, kompania për sigurinë në internet Mandiant zbuloi se dhjetëra sulme kibernetike ishin kryer nga persona që operonin në afërsi të një ndërtese ushtarake në Shanghai. Shefi për Sigurinë i grupit Mandiant, Richard Bejtlich, thotë se qeveria kineze mbështet gjerësisht e në mënyrë të drejtpërdrejtë ekipin e spiunazhit kibernetik.

"Loja që ky grup kryen është vjedhja. Ata nuk punojnë për të shkatërruar të dhënat. Ata nuk punojnë për të ndryshuar të dhënat. Nga ajo që kemi parë, ata kërkojnë të marrin informacionet dhe t’i vënë në dispozicion në Kinë."

Kompania Mandiant thotë se grupi, që identifikohet si APT1, ka vjedhur sasi të konsiderueshme të dhënash nga 141 organizata, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga kompanitë financiare deri tek bizneset e hapësirës ajrore.
Anthony Cordesman, një analist i mbrojtjes në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se nëse kjo është e vërtetë, Kina po kryen një eksperiment të rrezikshëm.

"Ushtaria kineze po eksploron mënyra për të gjymtuar ose për të dëmtuar rëndë infrastruktur dhe lidhjet bazë mes sistemeve të energjisë, rrjeteve ujore e funksioneve të tjera të rëndësishme me internetin, që mundësojnë funksionimin e ekonomisë sonë. Kjo nuk është thjesht luftë, por është zhvillimi i kapaciteteve për luftë ekonomike. Është një çështje shumë, shumë serioze."

Ministria e Jashtme e Kinës kundërshton akuzat.

"Sulmet në Internet janë një problem ndërkombëtar që duhet të zgjidhet mbi bazën e besimit dhe respektit reciprok si dhe me bashkëpunim ndërkombëtar. Kritikat e vazhdueshme të bazuara mbi të dhëna rudimentare janë të papërgjegjshme, joprofesionale dhe të padobishme për zgjidhjen e çështjes.''

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte mbi raportin e kompanisë Mandiant, por tha se është duke biseduar me Kinën në lidhje me çështjen e sigurisë kibernetike.

"Mund t'ju them se kemi ngritur vazhdimisht shqetësimet tona rreth vjedhjes kibernetike me zyrtarë kinezë në nivelet më të larta, duke përfshirë ushtrinë, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë."
Kompania Mandiant bën thirrje për rritje të presionit diplomatik ndaj Pekinit dhe për sisteme më të mira mbrojtjeje për të parandaluar sulmet kibernetike.

XS
SM
MD
LG