Lidhje

Spanjë - Skandali Barcenas mund të pengojë rimëkëmbjen ekonomike


barcenas
barcenas

Çdo hap prapa në Spanjë mund të shkaktojnë tronditje në gjithë Eurozonën

Në Spanjë, vazhdojnë të dalin në pah detaje të reja në një skandal korrupsioni që kap nivelet më të larta të partisë në pushtet. Disa analistë besojnë se çështja Barcenas dhe disa raste të tjera për mashtrime politike, mund të shkaktojnë probleme për rimëkëmbjen e vendit. Ka patur sinjale se skandali po luhat besimin e investitorëve pasi kostot e borxhit janë rritur pas muajsh qëndrueshmërie relative. Çdo hap prapa në Spanjë mund të shkaktojnë tronditje në gjithë Eurozonën.

Kur gazeta spanjolle El Pais botoi para dy javësh bilance të shkruara me dorë që tregonin se partia Partido Popular në pushtet kishte pasur një fond sekret për vite të tëra nga i cili përfitonin zyrtarë të lartë të partisë si kryeministri Mariano Rajoy, partia reagoi me forcë duke ngritur pikëpyetje për vërtetësinë e dokumentave.

Këtë javë El Pais njoftoi se ekspertë të kaligrafisë konfirmuan se dokumentat ishin autentike dhe nuk kishte shenja falsifikimi.

Përveç kësaj, dolën në pah dokumenta të reja se partia vazhdoi të paguante deri në dhjetor personin që ishte në qendër të skandalit, ish-shefin e financave të partisë.

Kjo ndodhte megjithëse Luis Barcenas ka qenë nën hetime që në vitin 2009. Është vala e fundit në një sërë akuzash korrupsioni që kanë bërë bujë në Spanjë muajt e fundit, duke i bërë edhe më të vështira për t’u përballuar masat shtrënguese ekonomike për spanjollët.

Jesus Lizcano është President i degës së Spanjës të organizatës Transparency International dhe profesor ekonomie në Universitetin Autonom në Madrid.

“Skandalet e korrupsionit po dëmtojnë imazhin e Spanjës dhe pengojnë ardhjen e kapitalit të huaj”.

Por zoti Lizcano beson se ndikimi i përgjithshëm i tyre në besimin e investitorëve do të jetë i kufizuar. Ai vë në dukje se në indeksin e fundit për perceptimin e korrupsionit nga Transparency International, Spanja u radhit e 30-a mes 176 vendeve.

“Jo keq, megjithëse ka vend për përmirësim”, thotë Lizcano. Disa analistë të tregjeve gjithsesi parashikojnë kohë të vështira. Lajmi për çështjen Barcenas solli një rritje të lehtë të kostove të huave javën e kaluar.

Çmimet e letrave me vlerë janë ende të ulëta, por Joe Rundle, kreu i bursës të firmës ETX Capital në Londër thotë se ato mund të ngrihen në nivele kritike. Ai thotë se kriza e Eurozonës nuk ka kaluar dhe investitorët mund të bëjnë presion ndaj Bankës Qendrore Evropiane që t’i japë asaj fund me planin e vet të shpëtimit. Zoti Rundle thotë se paketa e shpëtimit do të kishte pasoja të rënda.

“Franca nuk është në gjendje që të marrë përsipër dhënien e paketës së shpëtimit dhe do të jetë në dorën e Gjermanisë që të vendosë se çfarë forme do të marrë Eurozona në vitet në vazhdim”.

Ndërkohë Spanja po punon që të verë në vend besueshmërinë e saj. Qeveria paraqiti një paketë për transparencën vjeshtën e kaluar. Këtë javë, kryeministri Rajoy deklaroi se ligji do të zbatohet jo vetëm për institucionet publike por edhe për partitë politike. Kritikët kanë argumentuar se zbatimi është i vështirë, por se me disa shtesa është një fillim i mbarë.
XS
SM
MD
LG