Lidhje

Pentagoni përballë shkurtimeve buxhetore

  • Barry Unger

Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara ballafaqohet me kërcënimin e shkurtimeve të mëdha të buxhetit, ndërsa afron 1 marsi, data kur hyjnë në fuqi shkurtimet buxhetore. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk kanë arritur ende një marrëveshje për shmangien e shkurtimeve, që do të preknin të gjithë buxhetin federal të Shteteve të Bashkuara.

Mes shenjave të para të problemeve që do të shkaktojnë shkurtimet është njoftimi i Pentagonit për të mos dislokuar aeroplanmbajtësen Harry s.Truman në Gjirin Persik.

Koha e shkurtimeve masive është e papërshtatshme, pasi ndodh ndërkohë që po ndryshon drejtimi i Pentagonit. Largimi i Sekretarit Leon Paneta qartazi i lë pasardhësit problemin e shkurtimeve buxhetore.

“Nëse ndodhin këto shkurtime, do të ketë përçarje të mëdha në programet e mbrojtjes dhe një ulje drastike të gatishmërisë sonë ushtarake. Ne kemi nisur tashmë përpjekje të gjithanëshme për të patur një plan se si do të vepronim sipas një skenari të tillë, por është e qartë se nuk ka mundësi të mira për realizimin e kësaj”.

Stërvitja e trupave dhe mirëmbajtja e aeroplanmbajtëseve dhe anijeve do të shtyhet ose do të anulohet. Departamenti i Mbrojtjes përballet me shkurtimin më të madh buxhetor: 46 miliardë dollarë vetëm në shtatë muajt e ardhshëm. Zoti Panetta thotë se dëmi do të jetë më i madh.

“Ne do të pezullojmë për një periudhë deri në 22 ditë rreth 800 mijë punonjës civilë të Departamentit të Mbrojtjes. Ata do të përballen me 20% ulje page. Nuk mendoni se kjo do të ndikojë në ekonominë tonë?”

Shkurtimi i buxhetit vjen mbasi është përcaktuar edhe një program 10 vjeçar për shkurtimet - në total afërsisht 500 miliardë dollarë - i cili u shpall më parë por nuk ka hyrë ende në zbatim.

Pasardhësit të Leon Pannetës do t’i duhet të drejtojë një ushtri më të vogël, me fonde të reduktuara dhe me një kërcënim në rritje- nga Lindja e Mesme në Afrikë dhe Korenë e Veriut.

Anthony Cordesman punon me qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Kjo është një krasitje totale, të paktën fillimisht deri sa Kongresi ta ndalojë. Dhe pyetja që bëjmë të gjithë tani është- a do të ketë një vendim për një zgjidhje të përkohëshme të buxhetit? A do të ketë diçka për të rikthyer situatën e mëparshme?”

Koha se kur do të shmanget kërcënimi i shkurtimeve buxhetore varet nga një marrëveshje mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Ndërkaq, shqetësimi mes analistëve të sigurisë dhe udhëheqësve të Pentagonit është niveli i dëmit që mund t’i shkaktohet mbrojtjes kombëtare.

XS
SM
MD
LG