Lidhje

Bisedimet SHBA-BE për tregtinë e lirë


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ka shumë të ngjarë që në qershor të fillojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për tregti të lirë. Ekspertët e tregtisë ndërkombëtare thonë se një marrëveshje e tillë do të krijonte përfitime të konsiderueshme ekonomike në të dyja anët e Atlantikut. Por, pengesat janë të shumta dhe nuk ka garanci se negociatat do të jenë të suksesshme.

Presidenti Barak Obama ngriti mundësinë e krijimit të një zone të tregtisë së lirë transatlantike në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit.

“Tregtia e lirë dhe e drejtë transatlantike mbështet miliona vende pune me pagë të mirë për amerikanët”.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso shumë shpejt i dha mbështetje propozimit, duke thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare me Shtetet e Bashkuara do të nxisë ekonominë e ngadaltë të Evropës.

“Është vlerësuar se pas hyrjes në fuqi të një marrëveshjeje të tillë, ekonomia evropiane do të stimulohet me një rritje prej 0.5 për qind të prodhimit të brendshëm, pra bëhet fjalë për dhjetëra miliarda euro në vit dhe dhjetëra, mijëra vende të reja pune”.

Me pak fjalë, vendet përëndimore do të përfitonin nga kjo.

Por, Sharan Burrow i Konferedatës së Sindikatave Ndërkombëtare Tregtare paralajmëron se një marrëveshje e bazuar thjeshtë në përfitime ekonomike do të dëmtonte punëtorët në SHBA dhe Evropë.

“Nëse marrëveshja ka një element bashkëpunues, është e ndërtuar mbi një sërë vlerash për ndarjen e pasurisë në mënyrë që elementët si e drejta e punëtorëve për negociata kolektive të jenë në qendër të marrëveshjes, dhe të ofrojë mundësinë për shpërndarjen e përfitimeve, atëherë marrëveshja mund të jetë shumë interesante”.

Ka shqetësime se eliminimi i pengesave ndaj tregtisë dhe investimeve do të minojë të drejtën e punëtorëve për negociata kolektive dhe do të ketë zhvendosje të prodhimit në zonat ku krahu i punës është më e lirë.

Por, eksperti i tregtisë Daniel Ikenson thotë se kjo nuk duhet të jetë problematike për SHBA.

“Në fakt, standardet e punës në Evropë janë më të larta se standartet tona prandaj nuk ka shumë gjasa që sindikatat e punëtorëve amerikanë ta kundërshtojnë marrëveshjen”.

Në vend të kësaj, ai thotë se negociatat mund të përqëndrohen në harmonizimin e standardeve teknike dhe rregullative.

“Për shembull nëse prodhohet një makinë për larjen e rrobave në Shtetet e Bashkuara, gjatësia e kabllit elektrik duhet të jetë 3 këmbë, kurse në Bashkimin Evropian, gjatësia e kabllit duhet të jetë një metër, që është tre këmbë e tre pol”.

Duke marrë parasysh se tarifat tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë shumë të ulëta, gjatë negociatave pengesat më të mëdha mund të jenë rreth subvencionimeve qeveritare për sektorë si bujqësinë dhe industrinë e prodhimit të avionëve.
Por edhe nëse të dyja palët janë në gjendje t’i zgjidhin dallimet e tyre, Sharan Burrow thotë se shtimi i tregtisë nuk e mëkëmb ekonominë e dobët globale.

“Ekonomia kurrë nuk do të kthehet në rrugën e duhur në kontekstin global nëse nuk bëhet asgjë për ndalimin e sulmeve kundër të drejtave të punëtorëve, duke i dhënë botës një rritje të pagave në mënyrë që njerëzit të jenë në gjendje të jetojnë nga ajo që fitojnë dhe duke stabilizuar kërkesat”.

Tregtia mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës përbën gati gjysmën e prodhimit ekonomik të botës. Analistët thonë se intensifikimi i tregtisë do të çimentojë edhe më tej partneritetin mes tyre dhe do të shërbejë si një kundërpeshë e fuqishme ndaj rritjes ekonomike të Kinës.

XS
SM
MD
LG