Lidhje

Greqi, greva kundër masave të ashpra ekonomike


Mësuesit grekë si dhe mjekët dhe avokatët ishin mes grevistëve, që kundërshtonin sot masat e ashpra ekonomike, që qeveria po zbaton për të siguruar vazhdimin e ndihmave nga kreditorët ndërkombëtarë. Sindikatat më të mëdha bënë thirrje për grevën, duke shkaktuar bllokimin e anijeve në porte, ndalimin e punës, si dhe pakësimin e disa shërbimeve të rëndësishme vetëm me personel emergjent. Greva e sotme 24 orëshe në kryeqytetin grek është e para për këtë vit, ndërsa punëtorët shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj shkurtimit të rrogave dhe pensioneve.

Sot në Athinë u zhvillua një marshim kundër masave të ashpra ekonomike, pasi sindikatat bënë thirrje për një grevë 24 orëshe kundër shkurtimeve buxhetore të qeverisë, që kanë ndikuar në vendet e punës, rrogat dhe pensionet.

Punëtorët që mbështesin Partinë Komuniste kryesuan marshimin, ndërsa mijëra vetë vërshuan nëpër kryeqytet drejt godinës së parlamentit, duke hedhur parrulla, si “rezistoni” dhe “ata po na terrorizojnë në mënyrë që ne të dorëzohemi”.

“Punëtorët po vuajnë dhe ata kanë një rrugëdalje të vetme, të kundërshtojnë sa më shumë që të jetë e mundur, përndryshe do ta gjejnë veten me shpatullat pas murit, prandaj kjo duhet shmangur”, tha në marshim udhëheqësja e Partisë Komuniste, Aleka Papariga.

Më pas marshuan punëtorët e dy sindikatave më të mëdha të sektorit shtetëror dhe publik, duke bërë që të ndërpriteshin shërbimet publike.

Qeveria e koalicionit e kryeministrit Antonis Samaras, që u krijua para 8 muajsh, është përpjekur të tregojë se po zbaton reformat që i premtoi Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat e kanë ndihmuar Athinën dy herë duke i dhënë paketa shpëtimi prej mbi 200 miliardë eurosh.

Qeveria ka marrë masa të ashpra kundër punëtorëve grevistë, duke zbatuar ligje emergjente dy herë, vetëm këtë vit për t’u dhënë urdhër marinarëve dhe punëtorëve të metrosë që të kthehen në punë pas grevave një javore që paralizuan transportin publik të Athinës dhe rrezikuan mungesën e prodhimeve në ishujt grekë.

Kryeministri Samaras është zotuar se nuk do të ketë më shkurtime të rrogave dhe pensioneve, por grekët janë të shqetësuar pas 3 raunde masash të ashpra ekonomike, si dhe ndryshimesh në pagat e punëtorëve dhe marrëveshjet e punës, që i bën ato më të favorshme për punëdhënësit dhe më të vështira për punëtorët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG