Lidhje

Parlamenti diskuton rezolutën për Çamërinë


Në Shqipëri parlamenti nisi sot diskutimin e rezolutës për Çamërinë. Në komisionin e Jashtëm ajo u prezantua nga dy deputetët e partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet, kryetari i së cilës Shpëtim Idrizi tha se rezoluta tenton të ofrojë platformën më të plotë për zgjidhjen jo thjesht të çështjes çame, por të pabarazisë, që ekziston në marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor.

Zoti Idrizi tha se nën pretekstin e bashkëpunimit me pushtetuesit gjatë luftës së dytë botërore, popullsia çame u masakrua dhe u dëbua nga trojet e veta. Sipas rezolutës, “shteti shqiptar duhet të kërkojë njohjen e të drejtave themelore për popullsinë came dhe shfuqizimin e ligjit të luftës mes dy vendeve” që Greqia vazhdon ta mbajë në fuqi, duke bllokuar, siç tha zoti Idrizi, pronat e popullsisë çame.

Teksti i rezolutës kërkon që në frymën e Traktatit të Miqësisë “të dy vendet të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, dhe të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim”. Tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i dy forcave kryesore në parlamentin shqiptar dhe vecanërisht shumicës për shkak të ndikimeve në marrëdhëniet me Greqinë sipas së cilës çështja çame nuk ekziston.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG