Lidhje

Një kompani me traditë në kostumografi


Industria e filmit po kalon këto javë periudhën kulmore të vitit. Të dielën e kaluar u shpallën çmimet BAFTA, që ndahen nga Akademia Britanike e Filmit, ndërsa më 24 shkurt zhvillohet në Hollivud ceremonia e Çmimeve Oscar. Përveç aktorëve dhe regjisorëve, një armatë e tërë artistësh dhe krijuesish presin këtë moment kulmor, ndër të cilët edhe kostumografët që ndihmojnë për të krijuar botën magjepëse të filmit. Ju njohim në vazhdim me një ndër kompanitë më me zë në botën e kostumografisë:

Jeremy Angel, menaxher i kompanisë Angels the Costumiers, ndjen në këto javë energjinë elektrizuese të ceremonive. Ai ka të drejtë të krenohet: kompanisë së tij, të themeluar dhe drejtuar nga familja Angel, iu besua krijimi i kostumeve për katër prej pesë filmave që konkurojnë për Oscar, në kategorinë e kostumografisë më të mirë. Kompania Angel krijoi kostumet e filmave “Anna Karenina” dhe “Great Expectations” si dhe ofroi kostume origjinale për filmat “Lincoln” dhe “Mirror Mirror”.

“Është nder i madh të shkosh në kinema dhe të ulesh e të shohësh një film për të cilin ke krijuar kostumet. Fakti që katër nga filmat konkurrues për kostumografinë më të mirë janë krijuar prej nesh dëshmon cilësinë e punës dhe krijimtarisë sonë. Deri tani kompania jonë ka fituar 33 çmime Oscar dhe lista po rritet”.

Firma Angels the Costumiers u themelua në vitin 1840 dhe që nga ajo periudhë ka ofruar kostume për realizime skenike dhe më pas televizive e kinematografike.

“Në repartet tona puna nuk pushon kurrë, mund të ketë periudha kur punojmë për një realizim të vetëm televiziv, por ka raste kur punojmë paralelisht për 4-5 apo edhe gjashtë shfaqje të ndryshme. Në raste të tilla na duhen sa më shumë njerëz të specializuar për këtë punë dhe nuk është gjithnjë e lehtë të gjenden”.

Zoti Angel shpjegon se kompania përmbush nevoja të ndryshme për filma apo shfaqje sppecifike. Për shembull për filmin Great Expectations, kjo kompani realizoi kostumografinë si për personazhet kryesore, ashtu edhe për aktorët figurantë. Por filma të tjerë, bashkëpunimi me realizuesit e filmit nuk nënkupton dizenjon dhe krijimin e kostumeve, por thjesht përdorimin e një kostumi nga fondi arkivor i kompanisë si në rastin e filmit Lincoln:

“Ky kostum u përdor për filmin Lincoln që konkuron për çmim Oscar. Është një ndër fustanet më të vjetra që kemi në ndërtesë dhe e ofruam për filmin”.

Megjithatë, konstumografia për Lincoln nuk fitoi në ceremoninë e çmimeve BAFTA, por një tjetër konkurrent, “Anna Karenina” u zgjodh në këtë kategori, për kostumet e realizuara po nga firma Angel the Costumiers.

Kjo firmë me emër në industrinë kinematografike ka realizuar kostumografinë për filma të njohur si “Shakespeare in Love” dhe “Star Wars” dhe shpreson që me ceremonitë e sivjetshme për Oscar të shtojë në arkivën e vet edhe një statujë të re të artë.

XS
SM
MD
LG