Lidhje

Abortet në Turqi

  • Dorian Jones

Grupe të të drejtave të grave në Turqi luftojnë për të drejtën e abortit

Grupe të grave në Turqi janë duke akuzuar qeverinë për kryerjen e një fushate sistematike nga institucionet shtetërore për kufizimin e aborteve. Organizata për të drejtat e grave demonstruan në fillim të shkurtit në Stamboll në mbështetje të së drejtës së abortit. Protesta të ngjashme po vazhdojnë në mbarë vendin, ndërsa aktivistët thonë se qeveria është duke përdorur metoda të fshehta për ndalimin e aborteve.

Pinar Ilkkaracan është bashkëthelemuese e grupit “Women for Women's HumanRights”.

“Ne tani e dimë se të gjitha klinikat, apo spitalet e Turqisë, që ndjehen politikisht të afërta me qeverinë e kryeministrit janë duke i refuzuar abortet. Një tjetër çështje është se periudha ligjore është se aborti mund të kryhet deri 10 javë. Në shumë raste, edhe në se kufiri ishte 12 javë, shumë mjekë e kanë bërë këtë. Tani jemi duke dëgjuar se mjekët privatë po çohet drejtësisë për gjykim. Natyrisht, si mjeku, edhe gruaja që kërkon të kryejë abortin, përballen me drejtësinë.”

Si gruaja, edhe mjeku mund të burgosen për një abort, në se ai kryhet pas kufirit të lejuar me ligj. Gratë në Turqi mund të kryejnë abort deri në 10 javët e para të shtatzanisë. Gratë e martuara duhet të marrin pëlqimin e burrit për të kryer abortin.

Qeveria turke thotë se për abortin ajo thjesht zbaton rregulloret dhe ligjet. Muajin e kaluar, kryeministri Rexhep Taip Erdogan, ritheksoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e familjes.

“Ne e shohim çdo sulm ndaj familjes si një sulm ndaj njerëzimit, - tha ai, - dhe në asnjë mënyrë ne nuk do ta tolerojmë këtë gjë”. Zoti Erdogan shtoi se “Ne duam familje të forta, me të paktën tre fëmijë. Kjo është mënyra për forcimin e familjeve tona. Dhe ne do të kemi sukses në këtë gjë. Ne duam një komb të fuqishëm.”

Zoti Erdogan fajësoi abortin si një faktor që ka ndikuar në rënien e numrit të lindjeve. Sipas statistikave më të fundit, ritmi i lindjeve në Turqi ka rënë, gratë mesatarisht atje lindin 2,1 fëmijë, një shifër kjo e ulët, krahasuar me 4,33 që ishte në vitin 1978.
Qeveria tani është duke shqyrtuar një ligj të ri për abortin. Megjithëse nuk janë dhënë hollësi lidhur me të, ministrat kanë premtuar në të kaluarën se aborti nuk do të ndalohet.

Ayze Duzkan, e grupit “E drejta e abortit”, thotë se edhe pse qeveria nuk e ndalon abortin drejtpërdrejt, ligjet e propozuara mund ta bëjnë atë të pamundur të kryhet.

“Ne besojmë se do të ketë kufizime të mëtejshme ligjore për spitalet private, ku gratë kanë më tepër të drejtë të kryejnë aborte. Ato do të ndalohen në spitalet shtetërore dhe do të ketë disa kufizime, sidomos për gratë e pamartuara.”

Ilkkaracan e organizatës “Women for Women's Human Rights” punoi për një projekt zhvillimi për gratë në rajonin rural juglindor. Ajo thotë se abortet e provokuara vetë bga grate përbëjnë një problem madhor, që mund të keqësohet, në se merren masa më të ashpëra për kufizimin e abortit.

“Ishte shokuese të shihje se sa shumë raste të aborteve të provokuara vetë ka. Gra që hidhen nga tavolinat, gra që përdorin gjilpërat për të prishur fëmijën në uterus, hemoragji. Eshtë shumë e qartë, se në çdo vend, dhe ne dimë këtë nga studimet, sa më vështirë, apo i paligjshëm të jetë aborti, ai ndodh, por fshehtazi. Në këto raste, shumë gra humbin jetën.”

Aborti u ligjërua në Turqi në vitin 1983, për shkak të numrit të madh të vdekjeve që ndodhnin nga abortet e kryera fshehtazi. Grupe të të drejtave të grave kanë paralajmëruar se qeveria do të ndeshet me një betejë të ashpër me çdo përpjekje për kufizimin e mëtejshëm të abortit.
XS
SM
MD
LG