Lidhje

Avancimi i gruas në politikën ballkanike


Me nxitjen e Bashkimit Evropian dhe premtimin për forcimin e lidhjeve të vendeve ballkanike me Perëndimin, një numër gjithnjë e më i madh grash po ngjiten në skenën e jetës publike, duke ndryshuar pejsazhin politik në këto vende me një traditë konservatore. Pak ditë më parë, Zeljka Cvijanoviç u propozua për të kryesuar kabinetin qeveritar në Republikën Serbe të Bosnjës. Është një arritje për t’u vlerësuar në një vend ku asnjë nga ministritë në qeverinë qendrore nuk drejtohet nga një grua.

Zonja Zeljka Cvijanoviç i bashkohet një liste me emra politikanesh e drejtuesesh të larta në Ballkan.

Në vitin 2011 Kosova zgjodhi zonjën Ahtifete Jahjaga, si e para grua në postin e Presidentes së vendit. Ajo thotë:

“Gratë në politikë përfaqësojnë pushtetin e butë. Mendoj se ky përbën një ndryshim pozitiv në vendin tonë, si dhe në vendet e rajonit dhe shumë vende në botë, ku po u jepen shanse përparimi grave”.

Sociologia Eli Gashi i komenton ndryshimet e fundit si sinjal i një evolucioni kulturor:

“Këto ndryshime përfaqësojnë thyerjen e rolit tradicional të gruas si amvisë dhe pa rol në jetën publike, ndërkohë që tani e shohim të angazhuar në politikë”.

Zëvendës Kryeministrja e Kroacisë Vesna Pusiç thotë se ky është një hap i parë drejt një ndryshimi më të madh që do të prekë gjithë shoqërinë:

“Nëse nuk ke parë kurrë më parë një grua presidente, një grua në rolin e kryeministres, apo në detyrën e pilotes së avionit, do të mendosh se gruaja nuk e bën dot. Por kur fillojnë të shfaqen gra në këto detyra, gradualisht fillon të duket normale, e pranueshme. E shoh si një hap të rëndësishëm, si një element me vlerë dhe më vjen mirë që po shfaqet në të gjithë rajonin”.

Nuk është më vështirë të shohësh gra në poste drejtuese, që nga presidentja e Kosovës, tek Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli si dhe ministre e parlamentare të shumta në kabinetet e legjislaturat në të gjithë rajonin. Gratë shihen në këtë rajon historikisht të trazuar si më të ekuilibruara dhe më të rezervuara në prirjet nacionaliste që shpesh e kanë hedhur Ballkanin në luftra të përgjakshme. Dushka Latinoviç është infermiere në Republikën Serbe të Bosnjes:

“Gratë janë më të ndjeshme, më të forta dhe më të ngrohta e në kohë vështirësish, njerëzit duan dikë me zemër të madhe”.

Por është vetëm një hap fillestar dhe mbetet rrugë e gjatë përpara. Megjithë avancimet në kauzën e gruas, Ministrja e Kosovës për Integrim Evropian Vlora Çitaku shprehet se paragjykimet ende mbisundojnë:

“Së pari të pyesin nëse je e martuar. Të pyesin se ç’mendon babai që udhëton vetëm me gjithë ato burra. Si në Kosovë, edhe në të gjithë rajonin ekziston një profil i caktuar i gruas, ekzistojnë përgjegjësi që një grua duhet të përmbushë. Fakti që mund të kesh arritur sukses në karrierë nuk të bën një person të kompletuar nëse nuk je edhe një bashkëshorte e suksesshme”.

Është një tjetër shembull i faktit që kuotat politike dhe përparimet e individëve të caktuar mund të sjellin ndryshim statistikore, por do të duhet kohë për të përmbysur botëkuptimet tradicionale e konservatore të rajonit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG