Lidhje

Italia e mbërthyer nga ngërçi politik

  • Al Pessin

Italia është përfshirë nga një ngërç politik pas zgjedhjeve të muajit të kaluar të cilat e kanë ndarë parlamentin pothuaj në mënyrë të barabartë mes tre fraksioneve të ndryshme politike. Ndërkohë, kriza ekonomike e vendit po vazhdon, duke kërcënuar stabilitetin e eurozonës.

Italianët kanë habitur botën, dhe ndoshta edhe veten duke ndarë votat e tyre mes partisë së ish kryeministrit Silvio Berluskoni, koalicionit të qendrës së majtë dhe një lëvizjeje protestuese të udhëhequr nga një ish komedian. Kryeministri i tanishëm, një ekonomist i vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar, mori vetëm 10% të votave.

Edhe çifti Gabriella Magini dhe Mario Pezzella ishin të befasuar ashtu si të tjerët. Ata janë të shqetësuar për gjendjen e tyre financiare si dhe për nipërit e mbesat e tyre.

“Nuk jam shumë optimiste për të ardhmen. Mendoj se ndjenja e ankthit është përhapur në mbarë Italinë”.

Ka shumë arsye për shqetësim. Niveli i papunësisë në vend është gati 12%. Italia pothuaj nuk ka patur rritje ekonomike për më shumë se 10 vjet. Me shumë vështirësi vendi po paguan interesin e borxhit të tij të madh dhe ka nevojë për reforma të thella për ta bërë atë një vend më konkurrues. Dhe tani, parlamenti është bllokuar.

“Mendoj se ky është rezultati dhe skenari më i keq për ne”.

Profesori i ekonomisë Nicola Borri thotë se edhe nëse formohet qeveria e re, ajo nuk do të ketë pushtet për të marrë hapat e nevojshëm për ringjalljen e ekonomisë italiane dhe t’i japë fund zërave për një kolaps të eurozonës.

“Mund të ndodhemi përballë një situate të vështirë politike nëse nuk arrijmë ta trajtojmë çështjen e borxhit. Nëse Italia vendos të mos paguajë interesin e borxhit të saj, unë mendoj se eurozonës do t’i vijë fundi”.

Udhëheqësit evropianë janë të vendosur ta parandalojnë këtë. Të paktën një analist italian me përvojë, Andrea Margelletti, beson se vendi i tij do të tejkalojë këtë krizë ekonomike dhe politike.

“Ne duhet të studiojmë rezultatet dhe të gjejmë një zgjidhje të mirë, një zgjidhje italiane”.

Ky optimizëm nuk i bënë përshtypje profesorit Borri.

“Kur ne themi “zgjidhje italiane”, ne mendojmë një marrëveshje pa reforma. Kështu që nëse kjo është “zgjidhja italiane,” atëherë ajo nuk më pëlqen mua”.

As Gabriella e as Mario nuk e pëlqejnë këtë “zgjidhje”. Pensionet e tyre janë ngrirë ndërkohë që çmimet po ngriten duke shkaktuar ndikim negativ edhe në jetën e këtyre njerëzve që nga ana ekonomike janë në gjendje relativisht të mirë.

“Unë kam shpresë për të ardhmen. Mendoj se italianët kanë fuqinë dhe inteligjencën për ta zgjidhur krizën”.

Por zgjidhja e krizës tani është bërë më e vështirë për shkak të ngërçit në parlament. Askush nuk pret përparim të madh të paktën deri pas zgjedhjeve të reja, të cilat mund të mbahen në fund të këtij viti.


XS
SM
MD
LG