Lidhje

Një program ndihmon pacientet e kancerit të ndjehen më mirë


Shumë njerëz të prekur nga kanceri përballen jo vetëm me pasojat e kësaj sëmundjeje, por edhe me efektet anësore të trajtimit me kimioterapi. Studimet tregojnë se rënia e flokëve dhe dëmtimi i lëkurës shpesh mund të ndikojnë negativisht në kurajon e pacientëve për të luftuar sëmundjen. Një program i quajtur “Të dukesh mirë, të ndihesh mirë” po e ndryshon këtë gjë, jo me ilaçe, por me pak tualet. Sarah Zaman e Shërbimit Urdu të Zërit të Amerikës ka vizituar një aktivitet të këtij programi në Uashington dhe ka përgatitur materialin në vazhdim.

“Kam humbur një pjesë të asaj që kam qenë. Kur shikohem në pasqyrë, nuk e njoh veten”.

Kur Cathy Davelli filloi kimioterapinë për trajtimin e kanceri të gjirit, ajo e dinte se trupi i saj do të ndryshonte. Por ajo nuk e dinte se trajtimi do të kishte edhe ndikim emocional në të.

Miliona gra në mbarë botën që i nënshtrohen kimioterapisë përballen me realitetin e hidhur të humbjes së flokëve, humbjes së peshës dhe dëmtimin e lëkurës. Por shumë prej tyre kanë filluar t’i drejtohen programit “Të dukesh mirë, të ndihesh mirë” , një program që u mëson grave teknika të thjeshta të bukurisë në mënyrë që ato të duken më mirë fizikisht dhe të ndjehen të forta nga ana emocionale.

I themeluar nga Këshilli i Prodhimeve për Përkujdesje Personale dhe i përkrahur nga Shoqata Amerikane e Kancerit, programi ka organizuar kurse të bukurisë falas në mbarë Shtetet e Bashkuara që nga viti 1989. Këtu, stilistët e flokëve u mësojnë pacientëve se si të përdorin produkte të bukurisë dhe të mbulojnë kokën kur u kanë rënë flokët.

Pjesëmarrësve u jepen pako me produkte bukurie falas.
Në fakt, punonjësja e programit Louanne Roark thotë se industria e bukurisë ka nxitur krijimin e këtij programi.

“Ata sigurojnë të gjitha fondet për këtë program këtu në SHBA dhe në 24 vende të tjera. Të gjitha produktet që përdoren në këto kurse janë të dhuruara. Këtu në Shtetet e Bashkuara, çdo vit dhurohen produkte që kapin vlerën e rreth 7 deri 10 milionë dollarëve”.

Studimet tregojnë se pasi shohin efektet e dukshme anësore të trajtimit të kancerit, si rënia e flokëve dhe humbja e peshës, shumë gra janë të pakënaqura me pamjen e tyre. Pas pjesëmarrjes në kurset e bukurisë, shumica e grave fillojnë të ndjehen të kënaqura me ndryshimet në pamjen e tyre fizike. Por disa pacientë thonë se kjo nuk është arsyeja e vetme që ata ndjekin kurset e bukurisë.

“Është një gjë e mrekullueshme jo vetëm për shkak të mundësisë për të takuar gra të tjera të cilat kanë përjetuar të njejtën gjë dhe për të krijuar miqësi por edhe për të marrë këshilla dhe për të mësuar gjëra të rëndësishme. Ato të japin atë që e ke humbur”.

Nganjëherë kurset nuk ndihmojnë vetëm studentët, por edhe mësueset si stilistja Jodie Hecker.

“Brenda një periudhe 9 mujore, kanceri më mori nënën dhe tezen. Një mike e tezes sime punon këtu në Qendrën Vince Lombardi për luftimin e kancerit dhe më tha se angazhimi im këtu, do të ishte një proces shërimi për mua. Kur inkurajojë pacientët, fokusi largohet nga unë”.

Ky program tani është i pranishëm në 25 vende të botës. Deri më tani programi ka ndihmuar më shumë se 1.2 milion gra të duken më mirë dhe të ndjehen më mirë.
XS
SM
MD
LG