Lidhje

“War Witch”, një përrallë moderne për luftën në Afrikë


Filmi War Witch, i regjizorit Kim Ngyen, i cili flet për një vajzë 12 vjeçare të rrëmbyer nga forcat rebele në Afrikën Nën Sahariane, ndonëse ishte kandidat për çmimin Oscar, nuk arriti të fitonte statujën e artë. Por historia e mbijetesës e personazhit kryesor, Komonës, në Afrikën e shkatërruar nga luftërat, ka mahnituar shikuesit kudo ku filmi po shfaqet.

Mbasi rebelët e rrëmbyen nga njerëzit e saj, Komona u detyrua të bëhej një fëmijë ushtar.

Komonës i është dhënë “qumësht magjik” prej pemëve, një substancë që provokon gjendje haluçinante, e që e bëjnë atë të shohë fantazma në pyll. Ato e paralajmërojnë për pritat e armikut ndaj ajo nis të njihet si shtrigë.
Por Komona është thjesht një vajzë e vogël. Ajo mëson mekanizmin e vrasjeve por ëndërron të ketë një jetë normale. Në mes të kësaj situate, Komona bie në dashuri me një tjetër fëmijë ushtar.

Regjisori Kim Nguyen ka futur romancën në këtë film, sepse thotë ai, edhe në mes të masakrave, jeta vazhdon.

“Kur vizitova Burundin, pashë realitete të tilla ku njerëzit luftonin të gjenin një vakt për t’u ushqyer çdo ditë, ku kishte luftë, dhunë, por ende natën dëgjoje burrat xhelozë apo gratë xheloze që i bërtisnin njëri-tjetrit... ne kërkojmë dashurinë, familjen, qëndrueshmërinë, besnikërinë, madje edhe në një situatë kaotike që sjell gjendja e luftës”.

Rachel Mwanza interpreton Komonën. Ndonëse e pamësuar për të qenë aktore, ajo ka dhënë një interpretim mbresëlënës, duke dashur të ndihmojë të pastrehët.
Ajo thotë se qëllimi i saj është të themelojë një fondacion për të ndihmuar fëmijët e pastrehë në Kongo.

“Ideja ime është që të ndihmoj fëmijët në rrugë sepse ka shumë fëmijë në rrugë që vuajnë. Ka shumë njerëz që vuajnë në vendin tim.“

Filmi “War Witch” paraqet përpjekjet e njerëzve në një botë të dhunshme ku mbizotëron tradita dhe bestytnia.
XS
SM
MD
LG