Lidhje

Teknologjia në ndihmë të veteranëve të plagosur amerikanë


Veteranë amerikanë të plagosur në Afganistan po nderohen me shtëpi të teknologjisë së lartë për t’u mundësuar atyre një jetë sa më të pavarur. Në vitin 2011, statistikat e rënda frymëzuan një partneritet mes dy organizatave të mëdha bamirëse, “Fondacioni Stephen Siller nga Tuneli në Kulla” dhe “Fondacioni Gary Sinise”, për të krijuar projektin e përbashkët, “Ndërtesa për më të Guximshmit e Amerikës” Misioni i tyre ishte të financonin dhe të ndërtonin shtëpi të teknologjisë së lartë për veteranë të plagosur rëndë.

Pasi humbi të katër gjymtyrët nga një shpërthim në Afganistan, reshteri i marinës, John Peck kurrë nuk kishte menduar se do të bënte përsëri një jetë normale.

Dy vjet pas incidentit, John-i bën thuajse një jetë të pavarur si çdo 27 vjeçar tjetër në Virxhinia, falë shtëpisë së tij me teknologji të lartë e ndërtuar nga projekti i përbashkët donator, Ndërtime për më të Guximshmit e Amerikës.

Duke prekur disa butona në iPad, John-i mund të kontrollojë thuajse çdo funksion të jetës në shtëpinë e tij. Një shtypje butoni ul raftet e kabineteve, një tjetër ngre zërin e sistemit stereo në dhomën e pritjes.

I sigurtë dhe i qetë në këtë shtëpi, ai kujton ditën kur jeta e tij ndryshoi përgjithmonë:

“U ktheva dhe hodha një hap dhe mbaj mënd që fluturova në erë. Më pas u përpoqa të hapja sytë, por syzet nuk i kisha më dhe nuk shikoja asgjë veçse baltë, rërë dhe tym. Nuk shikoja asgjë veçse hije dhe formën e 4 trupave. Dëgjova gjithashtu zhurmën e një motori dhe e kuptova se po më çonin në helikopter. Hapa sytë dhe pashë përsëri 4 figurat dhe u thashë se nuk doja të vdisja aty. Dikush më tha se do të merrja një sy gjumë dhe kjo më qetësoi disi. Kur u zgjova pas 2 muaj e gjysëm, e gjeta veten në një dhomë spitali i mbuluar me një batanije të bardhë”.

Brënda pak munitash ai e kuptoi se ku ishte: në qendrën mjeksore Walter Reed në Uashington.

Fatkeqësisht, situata e John-it po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Ai është amerikani i tretë që humbet të katër gjymtyrët në konflikt dhe lista po rritet.

Deri tani, projekti i përbashkët, Ndërtime për më të Guximshmit e Amerikës ka ndërtuar 6 shtëpi të reja, ndërkohë që po ndërton edhe 13 shtëpi të tjera. Secila prej tyre kushton 500 mijë dollarë për t’u ndërtuar dhe pajisur për ushtarët e dëmtuar rëndë në konflikt.

Për John-in, një buton në derën e shtëpisë eliminoi përdorimin e çelsit, diçka e vështirë për të. Të gjithë dollapët janë të mëdhenj me rafte të ulët, që mund të arrihen nga karroca e invalidit. Tualeti, dushi dhe të gjitha dritat kontrollohen dhe komandohen nëpërmjet butonave elektronikë dhe nëpërmjet iPadit.
Në kuzhinë, çelsat e sobës janë të mëdhenj dhe mund të përdoren pa gishta.

Lisa Krutyholowa, nëna e John-it, thotë se këto gjëra që mund të duken të vogla lehtësojnë jetën jo vetëm për John-in, por për gjithë familjen.
“Kjo shtëpi na ka ndihmuar sepse unë mund të dal për të bërë punë të domosdoshme dhe nuk jam në merak për John-in pasi e di që ai mund të kujdeset për vete”.

Frank Siller dhe Judy Otter drejtuesit e projektit shpresojnë të vazhdojnë grumbullimin e fondeve për veteranë të tjerë në situata të ngjashme.
“Për ne, projekti mban emrin 'Ndërtime për më të Guximshmit e Amerikës' sepse këta veteranë janë amerikanët më trima. Ne nuk duam thjeshtë të ndërtojmë një shtëpi për ta, ne duam të ndihmojnë në rindërtimin e jetës së tyre”, thotë Frank Siller.

Ata duan që t’ua bëjnë më të lehtë jetën veteranëve të plagosur rëndë. Dhe John-i është një provë e qartë e përpjekjeve të tyre. Ai shpreson që një ditë të hapë një restorant bashkë me miqtë e tij. Kjo ëndër mund të bëhet shumë shpejt realitet, tani që John-it i është dhënë mundësia të bëjë jetë normale në kuzhinën e tij të mënçur, falë teknologjisë së lartë.
XS
SM
MD
LG