Lidhje

BE diskuton për gjendjen në Siri


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen në Bruksel për bisedime që synojnë gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund konfliktit 2 vjeçar në Siri nga i cili deri tani kanë humbur jetën gati 70 mijë njerëz. Shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton përsëriti thirrjen që presidenti sirian Bashar al-Assad të largohet.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se situata në Siri nuk po përmirësohet. Ai i bëri komentet sot ndërsa u takua me drejtuesit e opozitës siriane të cilët nuk janë pjesë e Koalicionit Kombëtar Sirian, grupimi kryesor opozitar.

Ministri i Jashtëm rus ritheksoi pozicionin e vendit të tij se çdo zgjidhje në Siri duhet të vijë nga brenda vendit.

"Gjëja më e rëndësishme është të sigurojmë se të gjitha pyetjet do të zgjidhen nga vet sirianët pa insistuar në asnjë sugjerim nga jashtë, në mënyrë që vet sirianët të përcaktojnë si fatin e vendit të tyre ashtu edhe atë të politikanëve të veçantë”.

Rusia ka thënë disa here se heqja e presidentit sirian Bashar al-Assad nga pushteti nuk mund të imponohet nga jashtë dhe ka ngritur shqetësimin se ekstremistët mund të përfitojnë në Siri dhe në shtete të tjera pas revoltave të Pranverës Arabe, duke e destabilizuar edhe më tej rajonin.

Ndërkohë, dega e Al-Kaidës në Irak thotë se është përgjegjëse për sulmin javën e kaluar ku u vranë 48 ushtarë sirianë dhe nëntë roje irakiane.

Shteti islamik i Irakut ka publikuar një deklaratë në internet sot ku pretendon se kreu sulmin në provincën e Anbarit në Irak, që u ndërmorr ndërsa ushtarët po hypnin në një autokolonë për t’u çuar në kufirin sirian.

Trupat kishin kaluar në Irak nga Siria gjatë përleshjeve me rebelët që kundërshtojnë presidentin sirian Bashar al-Assad.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG