Lidhje

NASA: Në Mars mund të ketë patur jetë


Rover Curiosity
Rover Curiosity
Agjensia amerikane e hapësirës, NASA, thotë se planeti Mars mund të ketë mbështetur forma fillestare të jetës ose mikro-organizma. Këto të dhëna vijnë nga analizat e mostrave të para, si kurrë ndonjëherë, të pluhurit të gurëve në Mars, të kryera nga sonda Curiosity.

NASA thotë se ka prova të reja se Marsi dikur mund të ketë mbështetur jetën mikro-biologjike.

Sonda e NASA-s, Curiosity, ka shpuar në një shkëmb, pranë një zone që duket si shtrat i një lumi të lashtë në planetin e kuq, dhe ka analizuar mostrën e pluhurit të nxjerrë nga brendësia e shkëmbit.

Shkencëtarët thonë se mostrat e marra në gjirin marsian Yellowknife përmbajnë disa elementë kimikë kyç për jetën, duke përfshirë oksigjen, hidrogjen dhe karbon.

Drejtori i programit për kërkime në Mars, Michael Meyer, e shpalli këtë zbulim të martën në selinë e NASA-s në Uashington.

"Marsi është një mjedis i lashtë me elementet e duhura. Mineralet tregojnë se dikur planeti i kuq ka qenë një mjedis thuajse neutral me ujë pak të kripur, me të gjitha parakushtet për të mbështetur jetën - mjedis i banueshëm"

Shkencëtarët thonë se gurët marsianë tregojnë dëshmi të periudhave të shumta në kushte të lagështirës. Mineralet argjilore, të cilat tregojnë se uji dikur ka qenë i pranishëm, ndodhen në mostrën e analizuar.

Drejtori i projektit të sondës Curiosity, John Grotzinger:

"Unë mendoj se kemi gjetur një mjedis të banueshëm që është aq dashamirës dhe përkrahës i jetës sa ndoshta nëse ky ujë do të ishte aty sot dhe njerëzit do të kishin qenë në planet, ata do të ishin gjendje për t'a pirë ujin pas asnjë rrezik."

Tani, sonda Curiozity është duke eksploruar në thellësi, në një gropë 150-kilometra të gjerë e quajtur Krateri Gale. Sonda do të eksplorojë pastaj një kodër marsiane e quajtur Mali Sharp. Sonda Curiosity zbarkoi në planetin Mars në muajin gusht për një mision dy-vjeçar, që kushton rreth 2 presje 5 miliardë dollarë, për të eksploruar planetin e kuq, Por sonda nuk është pajisur për të kërkuar për mikro-organizma të cilat mund të jetojnë në Mars sot ose fosilet e atyre që janë zhdukur.

Shkencëtarët besojnë se Marsi dikur ishte një mjedis i ngrohtë dhe i lagësht para se të kthehej në një shkretëtirë ngrice.
XS
SM
MD
LG